Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka analizuar situatën e COVID-19 në Shqipëri dhe është shprehur se në plazhe nuk respektohet asnjë masë. Në një intervistë në A2 CNN, Brataj shprehet se sërish problemi qëndron në mos respektimin e masave parandaluese.

“Traditat tona të puthjeve edhe përqafimeve nuk duhet të vijojnë, e transportojnë me siguri infektimin. Jemi në një periudhë ku masat janë shumë më të lehta, dhe sërish nuk respektohen. Nuk ruhet asnjë lloj distance, shihet në çdo kronikë të plazheve” tha ai.

Më tej ai shton se shkak për përhapjen e COVID është transporti publik, por edhe qytetarët që vijnë nga Kosova janë vatra infeksioni.

“Kosova ka përqindje infektimi shumë më të lart. Më preokupojnë autobusët që vijnë nga Kosova, por nga Ballkani në përgjithësi, sepse do të thotë që ka persona që për të paktën tri orë ndodhen në një ambient të mbyllur, që nuk ventilohet siç duhet. Pa mbajtjen e maskës, transmetimi aty është i sigurt” deklaroi mjeku.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot se në 24 orët e fundit janë konfirmuar dhe 139 raste të reja me COVID dhe kanë humbur jetën 6 pacientë.