Dy takimet e njëpasnjëshme me dy organet kryesore vendimmarrëse të Partisë Demokratike, kryetari i saj i ka shfrytëzuar edhe për të dhënë disa mesazhe.

Duke vlerësuar procesin që ka nisur PD për identifikimin dhe seleksionimin e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish, kreu i selisë blu tha se në shtator Partia Demokratike nis fushatën për zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që paralajmëroi se gushti nuk do të jetë muaj pushimesh për PD.

Duke u kthyer te procesi i brendshëm i Partisë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë e kryetarë bashkish, Basha theksoi se emrat e tjerë që janë propozuar nga anëtarësia do të përbëjnë më të mirët e më të mirëve për të përbërë ekipin qeverisës në çdo nivel të administratës shtetërore.

Emrat e propozuar nga anëtarësia përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do ti besojnë PD dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme. Përmes këtij procesi, ne kemi të identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen për kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore. Më të mirët e më të mirëve për të sjellë ndryshimin që presin shqiptarët, zhvillim dhe punësim” u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha.

PROCESI

Në këto dy muaj, PD do të punojë në disa drejtime. Ajo që është bërë edhe publike tashmë, është procesi i seleksionimit të kandidatëve të propozuar nga anëtarësia për deputetë dhe kryetarë bashkish.

Dje, dy organet kryesore vendimmarrëse miratuan përbërjen e komisionit që do të bëjë seleksionimin e atyre që do vazhdojnë fazën tjetër, nga mbi 2 mijë kandidatë të propozuar nga anëtarësia. Paralelisht selia e PD-së do të vazhdojë edhe me hartimin e programit qeverisës.

Zhvillimet kryesore si tërmeti i 26 nëntorit dhe situata e krijuar nga pandemia bënë që PD të rishikojë nga e para programin qeverisës, të cilin e kishte përgatitur edhe më herët. Po ashtu, një pol tjetër që po punohet lidhet me organizimin e PD-së në degë për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, ende nuk ka një qëndrim nga ana e opozitës së bashkuar në lidhje me vijimësinë e Këshillit Politik për ndryshimet e mundshme që imponon Kushtetuta me ndryshimet e bëra pa dakordësinë e PD-së dhe aleatëve. Amendimi i nenit 64 dhe 68 në Kushtetutë u votua në seancën e fundit për këtë sesion /Panorama