Mund të derdhësh lot pse iku/ Rama postim prekës për nënën e tij që u nda nga jeta 1 ditë më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim prekës për nënën e tij Aneta, e cila u nda nga jeta një ditë më parë.

“Mund të derdhësh lot pse iku Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi. Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet, Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më, Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të. Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen, Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të. Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj, Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të. Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota, Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara

***Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.

Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit” shkruan Rama.