Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka shpallur moskompetencë duke dërguar në prokurorinë e Tiranës kallëzimin e Safet Bajrit kundër drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili. Javën e ardhshme pritet që prokurori t’i marrë deklarimet Safet Bajrit se cilat janë argumentet që ka kallëzuar Ismailin për shpërdorim detyre dhe provat që ai disponon.

Report Tv siguroi pak ditë më parë letrën e plotë me akuzat që Bajri ngrinte kundër Ismailit. Sipas tij, drejtori i burgut ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk e transferoi për të vuajtur dënimin në një burg afër familjes, pra në Rec të Shkodrës sikur ishte kërkesa, por në Fier.

Bajri pretendon se në burgun e Fierit i rrezikohet jeta nisur edhe nga bindjet e tij politike. Bajri është i dënuar me 9 vite burg nga drejtësia belge, por nuk mund të ekstradohet për shkak se dy vendet nuk kanë një marrëveshje për këtë pjesë. Gjithsesi dy vendet njohin dënimet e dhëna në vendet reciproke dhe për këtë arsye Bajri do e vuaj dënimin në Shqipëri