Për kryeministrin Edi Rama është e qartë se Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën, por theksoi se për vendimin shumica socialiste është bazuar te raporti i Komisionit të Venecias që thotë se nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar.

“Ilir Meta e meriton të shkarkohet për ne si PS, por ne ndryshe nga partia jote Korab, ajo e vjetra dhe ajo e reja që mund të krijosh, dëgjojmë raportin e Komisionit të Venecias. Ndaj kështu ju ftoj të veproni dhe ju” deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk e kisha paraparë, që presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa të bëhej i keq për Shqipërinë me akte vandale. E ktheu zyrën në seli të operacioneve politike të njëanshme dhe vatër të hedhjes apo ndezjes së zjarreve duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin ndaj shumicës si benzinë, ama këtu ne, si në çdo rast, nuk mund ta anashkalojmë atë pikë të raportit të komisionit të Venecias ku thuhet se pavarësisht të gjitha shkeljeve, dmth i ka bërë shkeljet dhe vënçe, nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin. Komisioni Hetimor e thotë qartë se nuk kemi një përkufizim se cfarë do të thotë shkelje e rëndë në vetvete, për të konstatuar a është e rëndë apo jo”.

“Por mesazhi që japim ne duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës dhe duke e parë këtë rast si mundësi për të adresuar për të ardhmen. Që presidenti tejkaloi kompetencat, që cenoi parimin e sovranitetit të popullit, nuk respektoi parimin e unitetit të popullit janë fakte nga Komisioni i Venecias dhe jo hartime. Presidenti është në shkelje dhe jeton duke shkelur Kushtetutën në atë zyrë, kjo nuk ka diskutim. Por ka shkelur edhe etikën e atij institucioni dhe atë që është arsyeja e ekzistencës së këtij institucioni, simbol i unitetit kombëtar dhe mbi palët dhe jo të bëjë mitingje me një palë kundër një tjetre. Është i pari dhe uroj i fundit, që del në miting, për të kërkuar nga populli të rrëzojë qeverinë, është sa e paimagjinueshme aq edhe qesharake, por nëse Meta nuk e ka problem të bëhet qesharak ne nuk mund të bëhemi jo serioze” tha ai.

Kryeministri u shpreh se shumica do të inicioi një nismë për një ligj organik për institucionin e Presidentit. “Është koha që Kuvendi ti jap drejtim qartësimit të kompetencave formale dhe substanciale, një ligj organik për Presidentin, ku të përfshihen përcaktimet për mosbllokimin e proceseve zgjedhore, të evitohet precedentët skandaloz, të bëhet një thjeshtim për dispozitat për emërimin e anëtarëve të gjykatës, sipas rekomandimeve të komisionit dhe mekanizmat zhbllokues. Nuk mund të ndodhë më që presidenti të refuzojë të dekretojë ministra. Të gjitha duhen adresuar, jo për Ilir Metën, por institucionin e presidentit, që sot është kapur për fyti dhe përdoret si instrument për të bërë politikë partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt. Ne kemi një president me Hënë, sa herë Hëna rrotullohet në drejtimin e duhur dhe bashkëpunon si në rastin e COVID ne jemi në dispozicion për të bashkëpunuar” tha ai.