Presidenti Ilir Meta, me anën e një postimi në facebook, ka falenderuar atletët e “Ultramaratona1” të cilët kanë kaluar përmes Rrugës së Arbërit, maleve të Dibrës, grykës të Radikës dhe kanë mbërritur sotnë Dibrën e Madhe. Presidenti ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të përshëndetur vrapuesit por edhe të gjithë banorët e zonës së Dibrës në të dyja anët e kufirit. Ai i ka falenderuar me një poezi patriotike të Qezim Sulës.

Postimi i plotë: Atletët e “Ultramaratona1” pasi kanë kaluar përmes bukurive përrallore të Rrugës së Arbrit, maleve fisnike të Dibrës dhe grykës mbresëlënëse të Radikës, kanë mbërritur sot në Dibër të Madhe e janë përulur me respekt para përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke përcjellë në të dy anët e kufirit mesazhin e krenarisë, qëndresës e mbijetesës së shpirtit arbëror në mbrojtje të identitetit kombëtar.

Duke i falenderuar për fotot që sapo më dërguan u përcjell urimet e mia më të ngrohta e vëllazërore atletëve dhe në veçanti komunitetit të dashur të Dibrës së Madhe që i ka mikpritur sipas traditave të kombit tonë.

I përshëndes të gjithë me një prej hymneve të krenarisë kombëtare “Retë e Zeza” të intepretuar mjeshtërisht nga rapsodi i shquar dibran dhe një prej zërave më të jashtëzakonshëm të muzikës popullore shqiptare, Qerim Sula.

RETË E ZEZA

O i bjen era mor o retë e zeza, Vijn o prej malit mor o breza breza, Na ka shkel o hasmi o te dera, Dridhen malet, jo nuk tunden kullat, N’log t’burrnis o mor po maten burrat, Se lshojm pllamën o pa i ndrue kesulat

Çoi Korabi o gur e shkrepa, Po i knon Drini o këngt e veta, Dalin shqipet o nëpër kreshta Kadal hasem se këtu ka burra, Na knojn pushkët o nëpër kulla, Ta shtrojm vendin o pllam me plumba o pllam me plumba

Miku i shpis o more la konakun, Dhandri i ri o po kapi bajrakun, Nusja e re o po hoqi duvakun, Plaka n’voter o po e thej furkën, Fëmija e djepit o more kërkon pushkën, Gratë o n’llogore o more pjekin bukën

Bini trimat o e mejdanit, Hiqni sumllat e xhamadanit, Me mbush hutën e dibranit o të dibranit, Me gjoks flakën t’ja shuajmë topit, JEMI GJAKU I KASTRIOTIT, Le e rrit o në kullë o të barotit o në kullë tbarotit