Ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në moshë të re mësuesi i matematikës në Medresenë e Shkodrës. Gazjon Rusi, 39 vjeç, baba i tre vajzave të vogla, ishte prekur nga COVID-19 dhe prej disa ditësh ndodhej i intubuar në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Familja e tij kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët, për të bërë të mundur transportimin e tij për kurim drej Turqisë, pasi sipas tyre në Shqipëri nuk mundësohej dot trajtimi për të cilin 39-vjeçari kishte nevojë.

”Shumë të nderuar miq dhe dashamirës! Pikësëpari urojmë me përzemërsi të jeni mirë në këtë periudhë tepër të vështirë që po kalon i gjithë vendi dhe mbarë njerëzimi. Kolegu dhe vëllau ynë, z Gazjon Rusi, mësues i matematikës në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dega e djemve, prej ditësh ndodhet i shtruar në gjëndje shumë të rëndë, i intubuar ne Spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi” Tiranë.

Për shkak të kësaj gjendjeje, është parë e domosdoshme të dërgohet urgjent për kurim në një spital të specializuar në Republikën e Turqisë. Me këtë rast, shpallim sensibilizim për të gjithë ata që kanë dëshirë dhe mundësi të kontribuojnë financiarisht. Kontributi juaj është një dritë shprese për Gazjonin! Shpresojmë që me ndihmën e Allahut Fuqiplotë, vëllau dhe kolegu ynë të arrijë në shëndetin e plotë dhe ti bashkohet sa më parë familjes së Tij” thuhej në mesazhin që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.

Por pavarësisht mbështetjes së miqve dhe familjarëve të tij, Gazjon Rusi ka ndërruar jetë duke lënë padyshim dhimbje të madhe te të gjithë ata që e kanë njohur, e i janë gjendur pranë