Pandemia Covid 19 i ka dhënë një goditje të madhe ekonomisë së qarkut Shkoder ku për pasojë ka rritur edhe papunësinë. Treguesit janë tejet pesimistë dhe për fat të keq as nisja e sezonit turistik nuk ndikoi në përmirësimin e shifrave, megjithëse u shpresua shumë. Përpara nisjes së pandemisë, në zyrën e punës Shkoder rezultonin të regjistruar zyrtarisht si punë – kërkues të papunë afro 3400 qytetarë. Muajt e mbylljes dhe më pas zgjatja e efektit të virusit që shkaktoi mbyllje të shumë bizneseve, apo edhe faliment të një pjesë, bëri që shifra të dyfishohet dhe sot numërohen në këto lista zyrtarisht si punë kërkues të papunë 6100 qytetarë.

Nga statistikat e siguruara në institucionin në fjalë, rezulton që efekti më i madh është ndjerë tek lirimi nga puna i të punësuarve në sektorin e shërbimeve si: kamarier, banakier, punonjës të dyqaneve të vogla, apo edhe fabrika të ndryshme që kanë operuar në Shkoder, përfshirë fasoneri e call center. Tek një pjesë e tyre ka ndodhur procesi I rikthimit, apo kanë bërë thirrje për punësime të reja si rasti i fasonerive ku kanë kërkesa për së paku 190 punonjës. Por rreziku i papunësisë mbetet i lartë edhe për muajt në vijim, sepse situata mbetet e paqartë dhe nëse vendi do të përballet me një mbyllje tjetër në vjeshtë sic janë parashikimet, atëherë shifra rrezikon të 3 apo 4-fishohet.

Ekspertët thonë se për rajonin e Shkodres kjo është një plagë në rritje duke patur parasysh që mbetet një prej zonave më të varfëra në vend pjesa e veriut, e ku këtë vit ndikuar edhe nga mungesa e punësimeve masive sezonale, kjo plagë njeh zgjerim. Sikur të mos mjaftonte ky realitet i trishtë i krijuar nga kriza globale e pandemisë, në Shkoder ajo u thellua edhe nga politika e mbrapshtë e qeverisë dhe pushtetit vendor me aksionet në Velipojë. Bashkia Shkoder nga ana tjetër nuk ka hartuar as një plan shtese ndihme për biznesin, me përjashtim të faljes së propozuar për 3 muaj të taksave.