Të gjithë shqiptarët me vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë do të kenë të drejtën e votës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku parashikohen ndryshime në 2 nene të tij që lidhen me të drejtën dhe garantimin e votës për qytetarët e Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë jashtë saj dhe që janë të regjistruar në Regjistrin e Gjendjes Civile.

Ndryshimet detyrojnë KQZ të udhëheqë dhe mbikëqyrë përgatitjen dhe zbatimin e masave të cilat u garantojnë të drejtë të gjithë qytetarëve të Republikës që kanë vendbanim të përhershëm jashtë vendit të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. Këto ndryshime parashikojnë përfshirjen dhe llogaritjen e votave të emigrantëve duke nisur nga procesi i ardhshëm zgjedhor.

Kompetencat e KQZsë lidhur me votimin nga jashtë vendit KQZ ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji. KQZ ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ së.

Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.

Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.

Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje.

Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit.