Pak pasi opozita jashtëparlamentare i refuzoi ftesën për të shkuar në takim pasditen e sotme në Këshillin Politik, ka ardhur dhe reagimi i prerë i Edi Ramës.

Ai i kërkon opozitës që të mos merret më me gishtin që tregon hënën, dhe të kuptojë se nga 30 Korriku, duhet ta kuptojë se do të ketë risi kushtetuese, të cilat do të kalojnë në Kuvend.

Rama shprehet se opozita duhet ti japë fund kushtëzimit të punës së Këshillit Politik, pasi njësoj siç ndodhte dikur në Kuvend, as këtë herë nuk do tiu funksionojë.

Kryeministri Rama ne Twitter:

Miqtë opojashtëparlamentarë duhet të mos shohin gishtin kur gishti tregon hënën! Në 30 korrik do të kemi risi kushtetuese mbi të cilat duhet të ulemi pa humbur asnjë ditë. Prandaj të pranojnë realitetin e të mos e kushtëzojnë Këshillin Politik si Kuvendin dikur, se nuk funksionon!

Më herët opozita parlamentare kërkoi që mbledhja e Këshillit Politik të shtyhej për ditën e nesërme, ose të premten, dhe pjesë e saj nuk mund të ishin diskutimet për ndryshimet Kushtetuese, sa kohë që ato nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes së 5 Qershorit.

PERGJIGJA E PLOTE E OPOZITES SE BASHKUAR: Përshendetje, opozita e bashkuar ne keshill politik. Në vijim të email-it më poshtë, propozojmë që mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.

Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me:

(1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.

Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.

Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.