Dom Gjergj Meta përmes një postimi në Facebook u bën thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga normaliteti dhe të shtojnë kujdesin pas rritjes alarmante të shifrave të infektimeve nga COVID

Kjo pandemi, thotë ai, po na tregon se jeta jonë është në dorën e të tjerëve dhe jeta e të tjerëve në dorën tonë.

“Te heqim dore nga normaliteti…

Të dashur miq,

Në Shqipëri e në Ballkan numrat e të prekurve me Covid19 po rriten.

Ndjej për detyrë qytetare që t’ju ftoj të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Është koha e përkujdesjes e cila duhet të na zhvillojë përmasën e solidaritetit me njëri tjetrin dhe ndaj të mirës së përbashkët.

Nuk vlen ajo shprehja mors tua vita mea (vdekja jote është jeta ime), pasi vdekja apo sëmundja e një njeriu është edhe vdekja apo sëmundja e të gjithëve. Jeta është një e mirë që na është dhënë. Kjo pandemi po na tregon se jeta jonë është në dorën e të tjerëve dhe jeta e të tjerëve në dorën tonë.

Mjekët po na thonë të kemi kujdes. Tu besojmë atyre e tua dëgjojmë e zbatojmë këshillën. Mos ta kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv, a larg o Zot në një morg.

Prandaj: distancim fizik

përdorim i maskave në ambjente të mbyllura përgjegjësi ndaj simptomave.

Është një rast i volitshëm për tu rritur në përgjegjshmëri e të tregojmë se sa e duam jetën dhe se sa e vlerësojmë njëri tjetrin.

Jemi një vend i vogël dhe i varfër, me shumë probleme edhe pa pandeminë e tërmetin. Nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të na varfërojë e izoloi më shumë. Na kanë mbyllur kufijtë, jemi të detyruar të rrimë në karantinë nëse kalojmë kufirin në ndonjë shtet. Rritja e rasteve po na penalizon.

Prandaj është detyrë e të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, që të heqim dorë nga normaliteti i jetës së deritanishme e të strukturojmë një normalitet të ri që ndoshta do të na kushtëzojë për shumë kohë.

Sa më parë të mësohemi aq më mirë është për ne të gjithë

Ditë të mirë shkruan ai.