Qeveria ka rikthyer kufizimet si pasojë e shpërthimit të koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi mbylljen e diskove, klubeve të natës dhe lounge bareve

“Qeveria Shqiptare ka vendosur që nga sot ti thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh.

E kemi thënë dhe nuk do të lodhemi së përsërituri: Prioriteti ynë Nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme.

Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili

Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare

Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se e gjithë bota është në një moment pandemie.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se për të mbrojtur shëndetin, duhet që gjithësecili të bëjë pjesën e vet, dhe gjithësecili të marrë përgjegjësi për veten dhe tjetrin.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se Normalja e Re kërkon edhe sakrifica, me qëllim që nesër, askush të mos pendohet për pasoja, që mund ti kishte parandaluar thjesht përmes një sjellje më të përgjegjshme

Çdo shtet dhe autoritet kudo në botë, ka kuptuar nga eksperienca disa mujore e luftës me virusin, se suksesi varet nga ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bashkëpunimi i tyre me autoritetet e shëndetit. Dhe kudo, autoritet po u bëjnë thirrje qytetarëve, që në këtë luftë që do të zgjasë, të bëhen palë me autoritetet dhe jo me virusin

Çdo shtet dhe institucion kudo në botë është duke përshtatur ditë pas dite masat, për frenimin e një pandemie, e cila do ta ketë fundin me gjetjen e kurës dhe prodhimin e vaksinës. Deri atëherë, të gjithë bashkë, do të duhet ta përballojmë normalitetin e ri me zbatimin rigoroz të masave të distancimit social, higjenës vetiake, përdorimit të maskës, dhe çdo lloj mase tjetër që autoritetet shëndetësore rekomandojnë për mbrojtjen e shëndetit tuaj