Komisioni i Ligjeve ka miratur me dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare ndryshimet në Kushtetutë, ku do të sanksionohen listat e hapura dhe praktikisht heqja e koalicioneve parazgjedhore. Komisioni ka vendosur në mënyrë unanime që ndryshimi i pragut elektoral të mos vendoset në Kushtetutë, dhe të jetë pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal.

Thelbi i ndryshimeve është pika nr.3 e nenit 64 të Kushtetutës, e cila përcakton hapjen e listave zgjedhore për kandidatët, gjë e cila pamundëson dhe koaliconet tipike parazgjedhore mes forcave politike. Megjithatë, pavarësisht se përmes kushtetutës i hapet rruga këtij veprimi, ligjvënësit nuk e kanë specifikuar këtë duke theksuar se gjithçka do të përcaktohet përmes Kodit Zgjedhor.

Ndërkohë që sipas asaj që është vendosur në Kushtetutë ruhet sistemi propocional rajonal, që duket të ketë qenë dhe një nga kushtet e vendosura që në krye të herës nga kryeministri Edi Rama.

Neni 64 ndryshohet si vijon

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar. (i cili mbetet ende i papërcaktuar)

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.

Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor

Si është formuluar neni 2, Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:

1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”