Mësohet se 57 vjeçarja nga Shkodra e cila ka ndërruar jetë si pasojë e COVID 19 është Gonxhe Rexhepi, ishvolejbolliste e Vllaznisë.

Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik. Mos e uleni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës. Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlongje dhe në çdo ambient.