Ndryshime në qeveri? Bushati i sigurt në zgjedhjet e Ramës: Do krijojë qeverinë më të mirë

Asambleja e Partisë Socialiste që do të mbahet në fund të korrikut nuk do të kalojë pa surpriza. E përveç se nga kjo Asamble do të dalë një kryesi e re, nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve në qeverinë Rama 2. Deputeti i PS, Ervin Bushati, në emër të partisë së tij shprehet besimplotë se kryeministri Rama do të krijojë qeverinë më të mirë të mundshme.

“Duhet një Asamble që të marrë vendime për kryesinë se kush do të jetë në të ardhmen dhe patjetër ne kemi besim të plotë te kryeministri Rama si vendimmarrësi dhe kryetari i partisë dhe qeverisë për të krijuar qeverinë më të mirë të mundshme, dhënë dhe kontekstin të kësaj sfide të madhe që kemi, të ringritjes, zgjedhjeve lokale që kemi përpara dhe qendrore” shprehet Bushati.

PS ka ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare në 2021 po ngërçi që po mban disa bashki pa kryetar nuk ka marrë zgjidhje. Si fillim Shkodra, më pas Vora dhe Durrësi prej muajsh janë pa kryetarë. Ndonëse mazhoranca shpreh gatishmërinë e plotë për çdo datë që do të dekretojë presidenti Meta, PS nuk është ende gati të thotë se cilët kandidatë ka zgjedhur për këto bashki.

“Duhet të kalohet nëpër strukturat tona, të bisedohet, të ketë një proces votimi. Ne kemi dhe në ato proceset tona primare kur dikush propozohet, miratohet, aprovohet, diskutohet në strukturat tona lokale. Patjetër që ne duam të nxjerrim njerëzit më të mirë sepse rrjedhshëm pas zgjedhjeve lokale do jenë zgjedhjet e përgjithshme, do jenë dhe test elektoral dhe duhet të jemi të vëmendshëm” thotë deputeti i PS.

Kjo nuk do të jetë pamja që do të na shoqërojë gjatë fushatës për zgjedhjet e ardhshme. Deputeti i PS, Ervin Bushati tregon planin e mazhorancës për të pasur një fushatë ku do të respektohen të gjitha rregullat e distancimit fizik.

“Kam përshtypjen dhe fushata, me shumë gjasa në vjeshtë nëse do jenë për zgjedhjet lokale do jenë me masat e distancimit social. Historia politike ka treguar që fushatat kanë ndryshuar, në vite dhe shekuj. Organizimet politike si partitë duhet të dinë të adaptohen. Kryesore është jeta e njerëzve” tha ndër të tjera deputeti socialist

Mbetet për tu parë se sa do të funksione plan i PS për të sjellë fushatën zgjedhore në një tjetër dimension, duke patur parasysh rëndësinë e tubimeve masive në këtë proces