Kreu i PD Lulzim Basha ka thërritur sot në një takim mjekë infeksionistë si dhe ekipin e shëndetësisë në PD, për të diskutuar në lidhje me përhapjen e shpejtë të Covid19 në vendin tonë. Basha tha se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës, dhe sot vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit janë kthyer spitalet

Sipas PD që prej muajit Mars, janë një sërë pyetjesh që kanë mbetur pa përgjigje nga ana e qeverisë, të cilat Basha i rikthen edhe njëherë në vëmendje, e që kanë të bëjnë kryesisht me testimet, dhe fondet që ka në dispozicion qeveria për të rritur kapacitetet mjekësore.

Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre? Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit? A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira? A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?

Postimi i plotë i Bashës

Situata për sa i përket përhapjes së COVID19 ka dalë jashtë kontrollit. Numri i të infektuarve po rritet çdo ditë. Me dhjetra ankesa vijnë nga famijarë, të cilëve iu është identifikuar një pjesëtar si i infektuar, ndërsa atyre nuk u bëjnë tamponin, duke zgjeruar kështu zinxhirin e infeksionit

Këto shqetësime ndava me mjekë dhe specialistë të fushës së bashku me departamentin e shëndetësisë në PD

Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID19 shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike

Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qëndrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID19 si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo

Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve

Dështimi i kësaj politike të papërgjegjshme demonstrohet në numrin gjithnjë e më në rritje të të prekurve, të atyre që ndërrojnë jetë dhe të spitaleve që janë kthyer në vatra infeksioni. Mjekët, heronjtë e vërtetë të kësaj beteje, janë viktimat e kësaj papërgjegjshmërie ekstreme. Viktimat e makutërisë së qeverisë janë shqiptaret, të cilët po vuajnë sot sa pasojat e COVID-19, aq edhe RAMAVIRUSIN në ekonomi.

Kemi që në mars që presim përgjigje për këto pyetje Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre? Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit? A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira? – A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?

Sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit. Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike.

Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme.

E gjithë vëmendja dhe kujdesi i qeverive të përgjegjshme sot në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomike dhe parashikimi e shtimi i kapaciteteve. Vetëm qeveria e Edi Ramës e ka mendjen tek tenderat e PPP korruptive, për të cilat vazhdon të japë fonde, duke i lënë shëndetësinë dhe shqiptarët të vetëm përballë virusit dhe krizës ekonomike.