Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit 3 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.