Si dashamirës i ideve të djathta, simpatizant i PD.

Sot përfundimisht jam i bindur që e djathta ka humbur totalisht misionin, vizionin e saj. Pse?

Sot në botën e qytetëruar zhivillimi ka ardhur sepse lëvizjet e masave kanë prodhuar shpresë. Shpresë të bazuar në një sistem që është i mirë për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve. Lëvizjet e masave kanë prodhuar sisteme, rregulla loje të ndershme. Kanë prodhuar një sistem unik, që një politikan në çdo fushë të mos ketë më shumë se dy mandate. Jo sepse nuk mundet të jetë i mirë, por përvoja tregon që fillon dhe keq menaxhon çdo pushtet që i jepet. Në këtë rast të gjithë humbasim.

E bëra këtë lloj hyrje sepse sot, duhet të kishte një shpresë të re. Duhej të kishte një lloj oratorie ndryshe, e avancuar për sistemin ku jemi.

Unë them si çdo qytetar që po, qeverisja ka bërë edhe mirë edhe shumë keq. Por, mungon institucioni i oponencës që është zëri i mandatuar me votë të thotë ato gjëra që janë gabim për qytetarin dhe jo për veten e tyre.

Opozita sot përfundimisht nuk ngjall më shpresë. E them këtë për disa arsye që besoj në këndvështrimin tim janë të sakta.

Partia Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve në 2013 duhet të kishte kaluar një reformim të thellë, në çdo qelizë.

Mban kryetarin e saj pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë besoj se ai nuk ka moral të kërkojë zgjedhje të lira. Ai vetë është shembulli më negativ sesi bëhen zgjedhje. Vodhi bashkinë duke ndryshuar rregullat e lojës dhe vodhi partinë me zgjedhje të komanduara.

PD nuk pranoi gabimet e qeverisjes se saj. Në asnjë moment nuk pranoi të tillë.

PD nuk pranoi të ndërrojë brezat pas qeverisjes.

PD vazhdon dhe bën opozitë me ish pushtetarë, që së paku shpresojnë të jenë prapë në pushtet… sot e dashur PD nuk mundet të ngjallësh shpresë me Lulin, Flamurin, Palokën, Mediun, Shehin, Saliun, dhe një shpurë të vobektë nga mbrapa.

Sot e dashur PD, mbas kaq përvoje politike në ambientin shqiptar nuk je në gjendje të artikulosh një fjalë që lind shpresën, sepse edhe nëse e ke një të tillë personat që e flasin e vrasin shpresën.

PD edhe të rinjtë që afroi i ka një kopje të shëmtuar të së shkuarës.

Kur i takoj, apo dëgjoj nga larg më vjen për të qarë se kush po përpiqet të çojë përpara idetë e djathta, idetë e një Shqipërie Europiane.

Sot ne të gjithë duhet të jemi në protestë sepse kemi të drejtë të protestojmë dhe të kërkojmë më të mirën për jetën tonë. Ne sot duhet të protestojmë për një sistem shumë herë më të mirë se ky që po jetojmë.

Jetojmë një sistem, ku partia në pushtet verbohet nga pushteti dhe opozita verbohet nga varfëria në opozitë. Ne sot si shqiptarë duhet të protestojmë për një sistem më të mirë… nuk ka nevojë të shpikim sisteme… kemi shembuj plot.

Ne duhet të shëmbim sistemin që ti PD e dashur kishe dëshirë ta mbroje dje në pushtet dhe do që ta përqafosh nesër… të shembim sistemin me qëllim që partia në pushtet të mos e shikojë si pronë të sajën pushtetin.

PD e dashur sot objektivat e tua nuk ngjisin në asnjë mendje të kthjellët. Nuk ngjallin një shpresë se nesër do të jetë ndryshe. Përallat me Lul e Mona me Fatmir dhe Nard nuk ngjisin, nuk janë shpresë për ne që punojmë dhe jetojmë në këtë rrumpallë që ju bashkë e keni bërë.

PD sot nuk duhet të drejtohet në këtë variant, PD duhet që nesër të jetë e njerzve të thjeshtë dhe jo e Lulit, Palokës, Flamurit, Monës, Dukës, Dules, Idrizit

Koha e tyre ka përfunduar.

Ajo duhet të jetë e brezit të ri, por jo të brezit Salianji, Balliu. Jo ushtarë shterpë, por e një brezi të ri që ka ide dhe bën atë që beson se është e mira e popullit tonë të përbashkët.

Unë e dua të djathtën si rrymë dhe si bindje Europiane, që sot në Shqipëri mungon.

Kam shumë miq të angazhuar në Parti që vijnë dhe pyesin se çfarë të rregullojmë që njerëzit të na dëgjojnë. Çfarë duhet të bëjmë që njerëz si ju të na përqafojnë… dhe sot po e bëj publike se çfarë duhet të bëjnë. Nëse kanë b*le, të dërgojnë në kosh të plehrave ata që drejtojnë sot, dhe jam i bindur që shumë të rinj do ta përqafojnë ndryshimin, duke filluar nga unë i pari. Dhe lufta të mos jetë si dje, llafe dhe vetëm llafe, por një luftë që të ndryshojë sistemin, sistem që askush mos qëndrojë më shumë se dy mandate në Parti.

Askush mos jetë i përjetshëm në parti. Qarkullimi i brezave dhe ideve do sjellë ndryshim dhe shpresë.

Dhe duke bërë mirë në opozitë do ngjallë shpresë për më mirë dhe një Qeverisje të denjë për Shqiptarët.

Mos bota e civilizuar ka parë keq nga ky lloj sistemi?

P.s. Edhe diçka për sa kohë që PD menaxhohet kaq keq, korrupsioni i pushtetit po i merr shpirtin shqiptarit të ndershëm, në mos është palë edhe PD në këtë lloj korrupsioni. Sepse me një opozitë solide, kjo qeveri duhet të kishte rënë disa herë /Aksel Karamiti CNA.al