Studiuesi dhe poeti Lisandri Kola e konsideron studimin e Auron Tares, të bazuar në dokumente të kontekstualizuara vetëm në një kah interpretimi. Sipas studiuesit, s’është hera e parë, që flitet ‘agjenturën’ e Camajt, por se sa ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, këtë e tregon arratisja e tij

Nga Lisandri & Aristea Kola
Nji artikull hulumtues, me nji titull ‘Martin Camaj & Ernest Koliqi, të pazbuluar’ me autor z. Auron Tare, doli dje (5 korrik 2020) në qarkullim elektronik në ‘Peizazhe të fjalës’. Qysh në prolog, kuptohet se titulli bazik i autorit asht ‘Mitet e rreme’, dhe se akuzon drejtpërdrejt nji ndër konferencat bashkorganizative (Shqipni-Kosovë) për vlerësimin e dy autorëve bazikë të letërsisë shqipe, Camaj e Koliqi.

Z. Tare, nuk pretendon se e njeh letërsinë (edhe pse kritikon Ministritë respektive për konferencën këtu e tri vjet ma herët) dhe se pohon çuditnisht në epilog tue referue specialistët [se kush janë ata nuk mësohet në shkrim] se shkrimet e Camajt ‘kanë vlerë letrare por nuk janë letërsi antikomuniste’. Me këto dy pohime, merret vesh se autori ka kompetencë të vorfën në këtë fushë dhe asht e pavend me ndërtue argumente kundërshtuese.

Shkrimi mbështetet në të dhana, dokumente të deklasifikueme të CIA-s, ish-Sigurimit enverist dhe materiale të tjera. Shpesh mungojnë faksimilet, e në vend të tyne janë përkthime a përshtatje, prej burimeve, njisive origjinale. Që Camaj, Koliqi, Luzaj, e shumë të tjerë të vetekziluem janë pjesë e arkivave të CIA-s (a qendrave të tjera të inteligjencës), kjo asht e ditun. Por, ajo që të ban përshtypje në analizën e materialeve që vên në dispozicion, z. Tare, asht mungesa e relativizimit të landës dokumentative. Edhe pse të gjenduna në fondin e aksesueshëm (masivisht) të CIA-s, ato dokumente për motive historike dhe distancë në sigurimin e informacionit, asht e mira të relativizohen sot dhe të adresohen ma me ftohtësi. Pika tjetër, e kritikueshme e artikullit prej 37 faqesh (do thoni asht studim; jo të nderuem sepse përqindja ma e madhe e faqeve asht me imazhe) asht mosrespektimi i statusit profesional (mësues në Prekal) dhe atij politik (emigrant) të Camajt.

Përveçse në Shqipni, kjo gjuhë joetike nuk mund të pranohet kund. Me qenë mësues në Prekal, z. Tare, në vitet e përgjakshme 1947-48, dëshmon shpërndamje demografike e historisë së të ‘kuqve’. Barabar si me qenë mësues në Kardhiq a kudo tjetër. Po, ky fakt nuk ka sfumue kompetencën e nji intelektuali e për ma tepër të nji gege, e kjo përnjimend ju ban çudë ju sesi ia duel Camaj, për me ndriçue edhe jashtë Shqipnisë moniste. E dyta, me qenë emigrant nuk ju jep gjithnji të drejtë me shtrue pyetje që nuk keni kërçik veçse me i lanë të tilla, pra pyetje. E në këtë pikë keni fye krejt faktorin emigracional të shqiptarëve. Këtë gja, duhet ta dinit ma mirë se shumëkush. Me qenë emigrant nuk të ban ma të padijshëm se nji vendalí a kombsi tjetër.

Ju keni nxjerrë dokumente, dhe i keni kontekstualizue në nji kahe interpretimi që në dukje përban nji provokacion, që lidhet kryekëput me emnin e dy figurave të randësishme si Camaj e Koliqi, po nuk jua asht ndalë ‘penda’ pa cekë edhe Oroshin, Gjeçajn e Sheldinë, e madje ju vjen habi se pse kanë ndêjtë bashkë. Për tri arsye të thjeshta, zotnia juej. Nji se janë veriorë, dy se janë katolikë dhe e treta antikomunistë. E jo për arsye ‘rekrutimi’ si mëtoni ju me e ua paraqitë lexuesve. Se cilat janë qëllimet ‘e ndershme’ tueja me mprehë lapsin ndaj trinisë së masipërme, këtë ka me e vërtetue koha. Nuk asht e para herë që asht përfolë për Camajn dhe ‘agjenturën’ e tij. Në mënyrë periodike del kjo. Se sa ka qenë Camaj bashkëpunëtor i Sigurimit e tregon arratisja e tij. Nënshkrimi i nji copë letre, nuk tregon gjithçka. Po, do të ishte ma e hijshme, ma burrnore (nëse e keni këtë fjalë në kodin tuej civil) që me e përpunue ma ndryshe artikulimin ndaj nji letre dhe finalitetit të saj në kushte mbase të pavullnetshme, a me forma operative të asaj kohe që ju duhet t’i njihni mjaft mirë.

Ju ban përshtypje pse Roma, ka qenë pikë gravitacionale e masës emigruese (asohere), njëjtë siç mund t’i bante shumëkujt përshtypje për Midhat Frashërin, i cili mandej prej aty shkoi në Amerikë. Lëvizjet e emigrantëve-intelektualë shqiptarë janë komplekse e jo njivektorëshe. Kushdo që asht arratisë prej Shqipnisë enveriste e ka ba aktin heroik, dhe sot ne na duhet me kuptue se pika e kalimit kah ish-Jugosllavia ka pasë ‘o qafën o nafakën’. Pra, o me dekë o me mbijetue. Që nji pjesë e emigracionit me pasë nji rol antikomunist, antisistem (ndaj diktaturës komuniste shqiptare) asht njilloj sikur nji aleancë emigrantësh shqiptarë sot me u ba kundër qeverisë akuale në Shqipni. E madje me u financue edhe prej lobeve, organizatave të hueja. Nuk kuptojmë dot se çka ju habitë kaq shumë pse shumë organe botuese janë financue prej iks buxheti. Asht tashma e ditun, se nji pjesë e studimeve të Nolit janë financue prej kundërshtarit të tij politik, Ahmet Zogut. Mjafton me lexue lutjet e Nolit prej Bostonit, si ndaj Zogut si ndaj Geraldinës. Sikurse asht me u theksue edhe ‘shërbimi ekstra’ i Nolit në delegacionin shqiptar komunist, në Amerikë dikur. S’po flasim për korrespondencat e tij të zjarrta me diktatorin Hoxha. Bolshevizmi i nji kleriku, zotnia juej, ka ditë me u relativizue në kritikën e letrave shqipe apo në sfondin e gjanë kulturor.

Shumë deduksione të artikullshkruesit, ngjajnë përveçse naive por edhe qëllimshme. Po i referohemi nji pasazhi në f. 34. Si mund të ngjajnë të çuditshme bisedat e nji profesori gjuhësie, i arratisun politik me temë kushtet politike në Shqipni? A mendon, z. Tare, që Camaj ka lanë nji familje para se të mendojë se ato biseda i kishte për qëllime ‘informuese’? Sot, a mund të mendohet që nji emigrant shqiptar në nji bisedë të çfarëdoshme, e të çfarëdo profesioni, mos me pyetë për kushtet politike në Shqipni? Këto janë aludime, e trille shkrimore, që nuk gjejnë përkimsi logjike. Barabar si me pyetjen që shtroni se mos Camaj dinte ma shumë për vdekjen e Dom Lazer Sheldisë. Që Camaj ka pohue në letër se Sigurimi ka gisht, nuk asht ndonji çudi e madhe i nderti z. Tare.

Ngjani shumë infantil në pohimin tuej [f. 35] “të duket shumë e çuditshme, që një prift katolik i larguar shumë heret me aktivitet fetar në Amerikën Latine dhe me një aktivitet periferik në emigracionit e Neë Yorkut, të vritej nga Shërbimi Sekret Shqiptar. Aq më shumë në fundit e vitit 1988 ku Shërbimi inteligjent nuk kishte as motiv dhe as mundësi për të bërë një atentat të tillë ndaj dikujt që nuk kishte aktivitet të dukshëm kundër regjimit’. Vetëm nji vit ma parë (1987) agjentura shqiptare, me sa përflitet, eliminoi Aleksandër Kondon. Pra, ishte e mundshme me krye shërbesa në favor të Tiranës zyrtare. Po kjo, asht e qartë që ju jeni çue peshë ndaj faktorit të katolicizmit shqiptar në emigracion. Po kjo gja nuk na jep të drejtë profesionale dhe etike me ju drejtue pyetjen, se kush fshihet mbas shkrimit tuej? Don me thanë se nuk mund të aludojmë, sikurse ju, dhe me ra pre e nji arbitrariteti me vektor dekonstruktiv, si në rastin tuej ndaj dy personaliteteve si Camaj e Koliqi. Me këtë yrysh, nuk mund të jetë e largtë dita që të aludoni për Pipën a ndokend tjetër, që ka ikonizue ekzilin shqiptar.

Çka asht evdidente, asht se me këtë punë ju keni konfirmue antikomunizmin e këtyne dy autorëve (edhe përmes vetë burimeve të CIA-s, f. 4), gja që mund të mos ju interesojë ju me zgjatjen e sotme të komunizmit shqiptar. Për fatin tuej të keq, me burimet që keni në dispozicion, keni konfirmue se nji malësor (ose me fjalët tueja nji mësuesi nga Prekali) emigrant [f. 5, dok. 26 shkurt 1954], mundet me jetue falë statusit të tij si azilant dhe rezultave të tij nalta në Universitet. Pra, oficeri i UDB-së (e cila financonte jetesën e nji azilanti si kudo tjetër sot nji iks shtet) kontrollonte notat, dhe siguronte nji jetesë aq sa. Njilloj si me benefitet qeveritare në vendet e ndryshme të botës, me rastin e pandemisë, kur përfitojnë edhe personat me status të ndryshëm social. Kështu që, koherenca e juej interpretuese asht e mangët.

Kontaktet e tjera Camaj (‘si refugjat’), nisë edhe prej statusit socio-politik të grues së tij të parë dhe familjes së saj (i ati i Ninës, ish-nënkryetari i Bashkisë së Beogradit), nuk duhet t’i ketë pasë të vështira me i sigurue. Diku ma poshtë në mënyrë kontradiktore e keni pranue edhe vetë, se fati i ka ndihë prej ish relatës bashkëshortore. Ndërsa çêshtjen e pozicionit të Universitetit e keni përthellue si lidhje rektruese, por nuk keni shtjellue letrën e Camajt drejtue Sheldisë. Konkretisht atë që pohon Camaj, se postin e tij në Universitet e ka sigurue me zotsi të vet. Këtë e keni anashkue pa/me dashje. Keni ngritë e faturue hipoteza qoftë edhe kur emni i Camajt nuk asht i shfaqun fare në njisinë dokumentative. Ky, asht spekulacion i pastër diletant. E sa e sa probleme të tjera, që vetëm mbesin pyetje pa përgjigje. Këto pyetje duhet t’i jepnit ju ma së parit, sepse keni pasë mirësinë me prû nji diskutim të tillë në fushën e traditës shqipe, dhe të asaj që quhet trashëgimi jashtë kontureve socrealiste.

Nuk asht e thanë, që të gjithë emigrantët me i shërbue ‘me besë e nder’, si ndokush ma nalt, qeverisë së Hoxhës e as me lobue te ndërkombtarët për drapnin e kuq. Aktualisht Katedra shqipe në Myhih po funksionon falë punës së Camajt, e nëse do të ishte informator, do të ishte mbyllë me vdekjen e tij; dhe ndërkohë në Romë, reflektohet trashëgimia e Koliqit, i cili ka pasë në qendër kulturën e dijen, jo rekrutimin zotnia juej. Nëse emigracioni shqiptar, do të vijojë në rrugën e çelun prej tyne (sikurse edhe prej Stavro Skendit, Arshi Pipës, Isuf Luzajt, Peter Priftit, Mhill Markut etc.), të jeni të sigurt se nuk do të kishim pasë këtë Ministri Diaspore, sikurse asht sot në Shqipni. Por, mungesa gravidacionale e nji formacioni intelektual, jashtë vendit, asht fati i sotëm politik në Shqipni, ku ‘kërpudhat e kuqe’ mbijnë herë mbas here, siç asht edhe shembulli i këtij artikulli tuej, z. Tare.