Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti se “jemi dakordësuar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive me shpresën që situata jo e lehtë e lidhur me COVID-19 të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”

“Ishte kënaqësi si gjithmonë mirëpritja për çdo kryeministër të Kosovës dhe sot për kryeministrin Hoti në Tiranë edhe pse për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme që i dini u takuam 48 orë më parë në Prishtinë” tha Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit dypalësh.

Rama tha se në takim u diskutua më në detaje lidhur me të gjitha aspektet e bashkëpunimit, diskutim që do të vazhdojë edhe pas kësaj konference.

Po ashtu, Rama tha se “jemi dakordësuar edhe për një tjetër event të rëndësishëm që do të zhvillohet mes nesh, gjithmonë me shpresë që situata me COVID-19 do të na e mundësojë këtë në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve në muajin nëntor, ku dëshirojmë që bashkërisht dy qeveritë të sponsorizojnë Kongresin e parë të Autoriteteve Vendore”

“Ne dëshirojmë që ky të kthehet në një Kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive apo komunave si quhen në Kosovë, së bashku me skuadrat e tyre të mund të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komunitare dhe patjetër edhe potencialin e nismave të përbashkëta në fushën e mirëqeverisjes vendore” tha Rama.