Për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit turistik, policia e shtetit ka rritur prezencën në akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, për shkak të rritjes së ndjeshme të qarkullimit rrugor.

550 efektivë të Rrugores, radarë, kamera, alkoolteste, automjete të uniformuara dhe motoçikleta, janë vendosur në dispozicion për menaxhimin e trafikut rrugor në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Për të përballuar fluksin dhe për të shmangur trafikun dhe aksidentet, policia ka kërkuar edhe ndihmën edhe bashkëpunimin e qytetarëve. Por teksa kërkon bashkëpunim, ka bërë edhe një apel të çuditshëm: Mos u ktheni nga plazhi në të njëjtën orë

“Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që mos të nisen të gjithë në të njëjtin orar nga plazhet drejt banesave të tyre, si dhe të përdorin edhe rrugët alternative, me qëllim shmangien e krijimit të fluksit të pandërprerë në rrugë nacionale, nëhyrje apo dalje të qyteteve” thuhet në njoftimin e policisë

Si zgjidhje për të shmangur trafikun, policia kërkon që qytetarët të mos nisen në të njëjtin orar për tu kthyer në shtëpitë e tyre

Kërkesa e policisë është paradoksale për disa arsye. Së pari, sepse të gjithë pushuesit kanë axhendë personale, çka do të thotë se nuk mund të rrinë në varësi të tjerëve. Së dyti, fashat orare të plazhit janë pak a shumë të njëjta për të gjithë qytetarët.