Nga Shkodra, një nga zonat e nxehta epidemiologjike me 6 vatra aktive aktualisht, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve për ndërgjegjësim dhe u shpreh së në këtë qark është bërë një punë e madhe për gjurmimin dhe identifikim e rasteve nga ekipet në terren.

“Shkodra është një ndër qytetet që ka pasur edhe numrin më të lartë të infektimeve. Ndaj pavarësisht përpjekjeve të epidemiologëve dhe punës së mirë që kanë bërë për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit kemi tashme 6 vatra të nxehta në Shkodër të cilat janë duke u hetuar. Mjekët dhe infermierët e spitalit të Shkodrës kanë bërë një punë shumë të mirë përsa i përket zbatimit të protokolleve mjekësore të COVID19, edhe falë faktit që janë siguruar që nga dita e parë materialet e mbrojtes personale për mjekët dhe infermierët në mënyrë që të garantojnë mbrojtjen maksimale për stafet tona” tha Manastirliu.

Duke vlerësuar strategjinë e ekspertëve për masat antiCOVID, Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për përballimin me sukses të situatës

“Jemi duke vlerësuar në çdo moment të gjithë situatën epidemiologjike. Situata është delikate, por ne jemi duke ndjekur strategjinë tonë, të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, strategjinë e hetimit epidemiologjik, të gjurmimit të rasteve, izolimit të rasteve të konfirmuara dhe kontakteve të tyre në mënyrë që të kufizojmë sa mundemi përhapjen e infeksionit.

Sot është një kohë për të qenë të gjithë së bashku. Për të dhënë shembullin personal në zbatimin e masave dhe për të bërë ndërgjegjësimin e nevojshëm, të gjithë qytetarëve për të mbajtur maskën, për të ruajtur distancimin social, për të mbajtur higjienën personale të nevojshme, në mënyrë që ne të vijojmë të jemi të suksesshëm në këtë luftë. Që kjo strategji të ketë rezultat dhe të vijojë të ketë sukses, nevojitet bashkëpunimi i çdo qytetari” tha Manastirliu nga spitali i Shkodrës.