Tre krerët e grupeve parlamentare në Kuvend, pak ditë më parë kanë paralajmëruar se nuk do të japin votat e tyre për ndryshimet në kodin e ri zgjedhor, nëse nuk do të ndryshohet sistemi dhe të jetë me lista të hapura

Por pas këtyre paralajmërime në skenë dolën dhe qëndrimet e kundërta nga opozita parlamentare ku deputetë pjesë të tre grupeve parlamentare ose jashtë saj deklaruan votën pro paktit të 5 qershorit për reformën zgjedhore.

I pari ndër to ishte deputeti Lefter Maliqi i cili deklaroi se do të votonte paktin e ri të arritur me ndërmjetësimin e ambasadorëve.

Por pas tij një tjetër deputete ka dalë pro paktit të Këshillit Politik. Me anë të një postimi në Facebook, Suzana Topi shkruan se vota e saj do të jetë pro kësaj marrëveshjeje. Ajo shton se votimi pro i këtij pakti politik do të thotë integrim i Shqipërisë në Europë.

Dua të përshëndes marrëveshjen e këshillit politik për Reformën Zgjedhore e firmosur nga të gjithë aktorët politikë ,e cila mori bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE.

Sigurisht që kjo reforme ka nevojë të përmirësohet më tej për të bërë votime me lista të hapura, për pjesmarjen e emigrantëve në votime, për implementimin e sistemit elektronik në votime.

Vota ime si deputete e pavaruar nga asnjë grup parlamentar do të jetë PRO kësaj marrëveshjeje, sepse unë dua integrimin e Shqipërisë në Europë , sepse unë dua që opozita jashtë parlamentit të këthehet në institucione, pasi Rilindja ka kapur të gjitha pushtetet si atë ekzekutiv,legjislativ , drejtesinë, pushtetin vendor.

Parlamenti që duhet të jetë tempulli i demokracisë është i kapur ,aty janë votuar ligje antikushtetuese per PPP Koncesione, Ligji i Antishpifjes për mediat , është ngritur komision hetimor për Presidentin e Republikës , janë votuar ligje që cënojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo marrëveshje i shërben demokracisë për ti hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ! Me këtë marrëveshje fiton opozita e bashkuar fitojnë Shqiptarēt