Edi Rama e ka cilësuar “shëmti” bërjen e mesazheve publike nga ana e Ilir Metës ku thuhet se ambasadorët amerikanë dhe ata të BE, pas bisedës me kryeministrin nuk do e mbështesin Presidentin. Në një intervistë në emisionin “Open” Rama thekson se ky veprim është i turpshëm dhe thotë se mesazhet janë përdorur për të bërë punët e veta.

“Bërja e mesazheve publike është shëmti e madhe për çdo kënd, jo më për kreun e shtetit që komunikon me një diplomat që ndodh vetëm në Shqipëri për fat të keq. E dyta mora atë informacion sepse nuk disponoj kanale televizive në shqip në shtëpinë time për të mos e shpenzuar edhe atë kohë të shkurtër që jam në shtëpi për të ripërtypur gjatë ditës dhe për të mbajtur fëmijën e vogël nga ekrani që sipas meje i bëjnë dëm psikologjik për të vegjlit dhe për të rinjtë. Sigurisht i marr informacionet dhe pasi e mora informacionin, nuk e kuptoj ku qëndron problem në atë mesazh sepse bëhet fjalë për të votuar në Kuvend, jo për të shtrembëruar. Bëhet fjalë për votimin. Ku qëndron këtu arsyeja për të shitur një mesazh, një marrëdhënie mes kreut të shtetit dhe një diplomati dhe përvec kësaj, një dëngle të madhe që është prova e kapjes.

Ne nuk kemi diçka për personin dhe personin mundemi lehtësisht ta votojmë nëse është e drejtë dhe legjitime. Më vjen turp të shoh mesazhe të shkëmbyera që dalin në publik ku personi përdor tjetrin për të bërë punët e veta. Kjo është turp” tha Rama.

Pak ditë më para, dolën mesazhet e publikuara nga Meta ku thuhet: “Mirëmëngjesi Beni. Takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE-së këtë mëngjes, folëm me Ramën në telefon, dhe zyrat ligjore të këtyre të dyjave, (SHBA- BE), nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues. Dhe ata do të dalin sot publikisht, edhe kemi rënë dakord që ta themi para.

Sidoqoftë, Rama ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën tjetër të Presidentit, që do të bëhet shumë shpejt. Rama do të përpiqet të mos e bllokojë këtë. Përsëri më kërkuan që t’ua përcjell këtë mesazh (A.M/Faxweb.al)