Të dashur dhe të shtrenjtë, motra dhe vëllezër besimtarë!

Me këndimin e ezanit të akshamit të kësaj dite, mbarë bota islame, nga lindja në perëndim, hyn në atmosferën e begatë të muajit Shevval, që shënon edhe fillimin e ditës së parë të Fitër Bajramit, festës së shënuar për muslimanët e krejt botës.

Gjithandej njerëzit gëzojnë me Zotin e tyre, marrin dhe japin urime, lutje e shpresë, për një agjërim të pranuar, për një muaj, hëna e të cilit i lë vendin hënës së festës e gëzimit, pas një lumturie, gëzimi e adhurimi të pashembullt, që na angazhoi të gjithëve për të shfaqur më të mirën nga vetja e jonë, në përgjigje të thirrjesë hyjnore për të agjëruar me përkushtim e zemër!

Ditën e diel, më 24 maj 2020, që në orët e para të mëngjesit, të gjithë do të drejtohemi nga dyert e xhamive tona, për të dëshmuar bashkarisht faljen e Fitër Bajramit, për të marrë e për të dhënë urimet e zemrës me vëllezërit tanë, për të dëshmuar bashkarisht se, kur jemi bashkë si një zemër e vetme, çdo gjë është më e bukur, më shpresëdhënëse, më pranë devotshmërisë e më afër All-llahut të Madhëruar, që na thërret për të qenë si një familje e madhe e besimit dhe vlerave.

Fitri i sivjetshëm na gjen në një situatë sprove, të cilën e kaluam me besimin dhe qytetarinë tonë, porse jemi të ftuar të mendojmë për skamnorët e nevojtarët, që ndoshta nuk e kanë mundësinë të festojnë si duhet në këtë ditë të gëzuar.

Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “Nuk më ka besuar as edhe një moment të një dite, ai që shkon të flejë i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij përbri është i uritur dhe, ai e di këtë!”.[1]

Prandaj, le ta ndajmë gëzimin dhe dritën e kësaj dite të shënuar me njerëzit tanë, të pyesim e të interesohemi për ta, të shërojmë me sa të kemi mundësi skamjen dhe varfërinë, si dhe të dëshmojmë bashkarisht thirrjen e madhe: “Jetoni, o robër të All-llahut, si vëllezër”

Bajrami i madh dhe i vërtetë, është ai, që na mban të lidhur pas dritës së Krijuesit tonë! Bajrami i vërtetë është ai, që na mban të lidhur pas besës dhe madhështisë së adhurimit në Ramazan! Bajrami i vërtetë është ai, që na forcon edhe më shumë në rrugën e përkushtimit dhe dashnisë së All-llahut të Madhëruar, i Cili urdhëron: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin!”

Le të shfrytëzojmë këtë kohë për ti drejtuar zemrat nga thirrja e Zotit dhe për të dëshmuar besëlidhjen e madhe e të pathyeshme!

“Nëse të vjen një njeri me halle, dëgjoje! Po të erdhi dikush që të kërkon falje, fale! Po të erdhi një nevojtar, jepi! Prej teje nuk kërkohet të kesh një Mus’haf në xhep, porse të jesh ajet në mirësjelljen tënde!”

Me zemër të mirë e me bekime, Fitër Bajramin!

VIDEO // FITER BAJRAMI, MESAZHI I MYFTIUT IMAM MUHAMED SYTARI

VIDEO // FITER BAJRAMI, MESAZHI I MYFTIUT IMAM MUHAMED SYTARI

Posted by EeTimes.al on Saturday, May 23, 2020