Të tjera personalitete të fushës së artit i janë bashkuar kolegëve të tyre, duke firmosur peticionin për ngritjen e Teatrit të Ri Kombëtar dhe duke iu bashkuar thirrjes se politika duhet të qëndrojë larg kësaj çështjeje, e cila u përket vetëm artistëve.

Piro Milkani, Ruzhdi Pulaha, Alfred Trebicka, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Albert Minga, Agim Bajko, Karafil Shena e shumë të tjerë, janë emrat e rinj i janë shtuar firmëtarëve të peticionit drejtuar pasditen e sotme Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për tiu përsëritur edhe njëherë vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër

Dhjetra aktorë dhe regjisorë e kanë firmosur peticionin, i cili në fakt është peticioni i tretë që i drejtohet krerëve të shtetit për çështjen e Teatrit Kombëtar që nga viti 2018 ku deklarojnë se ndërtimin e Teatrit të Ri e konsiderojnë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe u bëjnë thirrje atyre që ti lënë lojërat politike sepse pikërisht nga këto lojëra komuniteti i artistëve ka mbetur edhe sot pa Teatër. Mes figurave të njohura të artit e veçanërisht skenës së teatrit janë Robert Ndrenika, Luftar Paja, Viktor Zhusti, Artan Imami, Spiro Duni, Leka Bungo, Altin Basha, Arben Derhemi, por edhe dhjetra të tjerë. Tirana post