Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarja e Fax News, Eksiola Shehu gjatë një komunikimi online me gazetarët në lidhje me kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës ndërsa presidenti është shprehur se do ketë një padi tjetër në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.

Rama tha se prej më shumë se 20 vjetësh është shprehur për shembjen e asaj godine dhe nuk është tërhequr nga ky qëndrim, ndërsa pohoi se mezi pret ndërtimin e godinës së re duke shtuar se një pakicë nuk mund të ndikojë në vendimet e shumicës.

Pyetje: Zoti Rama, çfarë do të ndodh me godinën e Teatrit Kombëtar? Do të vijojë mazhoranca betejën për ta shembur? Ndërkohë që Presidenti Meta ka paralajmëruar padi tjetër në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk do të ketë reflektim nga mazhoranca?

Rama: Ai është një proces për të cilin unë jam shprehur tanimë nuk e di sa vite u bënë dhe jam njeriu i fundit që duhet të pyesni për një hap mbrapa. Sepse jam i pari që e kam thënë që në vitin e largët, 1998, që jam shprehur se Shqipëria duhet të ketë një Teatër Kombëtar të denjë për atë emër. Mezi pres të shoh Teatrin e ri Kombëtar. Të gjithë kanë të drejtë të kenë kundërshtinë e tyre, por në fund vendos shumica, ne jemi shumica, e kemi marrë këtë vendim dhe nuk e shoh se si pakica të caktuara mund të ndikojnë në vendimmarrje lidhur me kompetenca të mandatuara me kushtetutë.