Parukeritë dhe qendrat estetike hapen më 11 maj në Shqipëri, por asgjë nuk do të jetë si më parë, si për biznesin ashtu edhe për klientët. Të gjithë duhet t’i përshtaten ‘normalitetit të ri’, që vjen me një listë të gjatë rregullash që duhet të zbatohen. Rregullat e reja përcaktojnë që rezervimet duhet të bëhen më herët me telefon, pasi nuk do të ketë pritje të klientëve brenda ambienteve. Gjithashtu klientët nuk duhet të shkojnë të shoqëruar, ndërsa distanca që duhet të zbatohet nga njëri tek tjetri është 2 metra.

Në hyrje çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshme për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje.

Çdo klient që kryen shërbime të trajtimit trupor duhet të pajiset me veshje njëpërdorimshme, e cila hidhet në kosh.

Karriget, poltronat, krevatet, etj. ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll on me njëpërdorimshme. Në mungesë të mbështjellëses, vendet e ofrimit të shërbimit duhet të dezinfektohen mirë për çdo klient. Letra e përdorur griset dhe hidhet në kosh.

Në hyrje dhe dalje subjekti duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për personelin dhe këdo që hyn e del në ambientet e brendshme dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.

Në çdo rast të sigurohet ventilim (ajrimi) natyral të paktën 4 herë në ditë për 10 minuta. Në momentin e ajrosjes subjekti nuk ofron shërbim për asnjë klient.

Çdo pajisje pune si gërshërë, makina qethëse, furça, krehër, pjastra, pajisje depiluese, kapëse plastike, mjete pune druri, metalike apo plastike etj. duhet dezinfektuar/sterilizuar për çdo klient si dhe para e pas mbylljes së aktivitetit ditor.