Efektivët e Policisë së Shtetit, ashtu si mjekët, prej më shumë se një muaji janë në frontin e parë ndaj COVID19. Por çfarë ndodh gjatë patrullimeve të bluve të Shkodrës. Report Tv, ka ndjekur nga afër punën e patrullave lëvizëse të Policisë së Shkodrës. Në bazë të Aktit Normativ të Qeverisë, një nga detyrat për uniformat blu së fundmi është këshillimi i qytetarëve që dalin nga banesat.

Teksa patrullojmë në rrugët e Shkodrës, të shumtë janë ata të cilët largohen sapo shohin efektivët e policisë, por ka edhe nga ata të cilët gjobiten, pasi kanë dalë në rrugë pa një leje dalje.

Megjithatë sipas efektivëve të policisë, ka një përmirësim të ndjeshëm të ndërgjegjësimit të qytetarëve të Shkodrës ndryshe nga fillimi i kësaj pandemie.

Kjo është vetëm pak nga ajo çfarë ndodh çdo ditë në rrugët e Shkodrës, këshillime, por edhe gjobitje, megjithatë bashkëpunimi mes palëve duket se e ka kthyer këtë betejë të përbashkët më të lehtë, në luftë të përditshme me armikun e padukshëm.