Thirrja për të qëndruar në shtëpi drejtuar shkodranëve, kësaj herë vjen nga dy figurat më të dashura të kryeqendrës së veriut, por edhe në të gjithë Shqipërinë, nga Inva Mula dhe Elhaida Dani.

Kërkesa e tyre ka një emërues të përbashkët, të qëndrojnë në shtëpi për të mirë e të gjithë globit. Në një lidhje Skype, nga i deleguari në Shkodër për situatën e COVID-19, Besfort Lamallari mesazhi i tyre është i thjeshtë.

“Të dashur qytetarë të Shkodrës, të globit, mendoj se ka ardhur momenti që secili nga ne ka nxjerrë konkluzionet e veta! Ajo që ne duhet të bëjmë është të shpëtojmë jetët tona duke ndenjur në shtëpi.

Për temperametin e shkodranve se është paksa e vështirë, por e di që shqiptari di të sakrifikojë dhe ky është momenti, për njëri-tjetrin, për familjen, të afërmit, është hera para që duhet të mendojmë globalisht. Prandaj duhet të qëndrojmë në shtëpi. ju lutem rrini në shtëpi dhe të shpëtojmë jetën e të gjithë globit” u shpreh Mula.