-Presidenti Ilir Meta për herë të dytë në pak javë mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare lidhur me përballimin e situatës nga koronavirusi. Mbledhja nën drejtimin e Presidentit u zhvillua pasditen e sotme nëpërmjet një video-konference. Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Zyra e shtypit të Presidencës njofton se çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës. Kryetari i Kuvendit Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë. Kryetari i Partisë Demokratike Basha, shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit, thotë Presidenca.

Kreu i shtetit Ilir Meta, po sipas njoftimit të Presidencës vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.

Kjo ishte mbledhja e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti lidhur me koronavirusin dhe masat e marra nga qeveria. Kjo mbledhje vjen në një kohë kur Shqipëria ka konfirmuar 494 raste me COVID-19 dhe 25 viktima dhe 248 të shëruara, me një trend ditor që ka rënë në zbritje, e për pasojë qeveria ka paralajmëruar masa lehtësuese.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi të dobishme mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti Ilir Meta. Kreu i qeverisë shprehet se në mbledhje kishte një shkëmbim të hapur opinionesh me Metën dhe Bashën për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim.

Në fund të postimit, kryeministri kishte edhe një ‘thumb’ që referuar aktualitet i shkon Bashës, kur thotë se sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv sa në tryezat e mbyllura, politika do ishte shumë ndryshe.

“Mbledhje e gjatë por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin e Republikës & kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim! Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, politika do ishte shumë ndryshe” shkruan Rama.