Departamenti i Shtetit në SHBA paralajmëroi para dy vitesh për mungesën e sigurisë dhe kushteve të nevojshme të punës në laboratorin e viruseve në Wuhan, aty ku shpërtheu edhe epidemia aktuale e koronavirusit.

Sipas disa kabllogrameve të siguruara nga Washington Post, ambasada amerikane kishte ngritur alarmin për Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Pavarësisht se aty kryheshin eksperimente të rrezikshme me viruse të ngjashëm me atë që shpërtheu tani, siguria nuk ishte në nivele maksimale.

Kjo nuk sugjeron që virusi ka dalë nga laboratori, edhe pse zërat nuk mungojnë. Daily Mail shkruante para pak ditësh se qeveria britanike ka dyshime për origjinën e virusit.

Fox News në një analizë thekson se edhe në Kinë mendojnë se virusi është produkt laboratorik.

Ekspertët janë të bindur se virusi nuk ka dalë nga laboratori. Por Daily Mail shkruante të dielën se në laboratorin e viruseve në Wuhan po testoheshin lakuriqët e disa shpellave, ku mendohet se e ka origjinën edhe koronavirusi i ri.

Tabloidi i njohur britanik shkruante se në mediat lokale kineze ka qarkulluar ideja që shkencëtarët e laboratorit kanë spërkatur veten me gjak të infektuar dhe e kanë shpërndarë te popullsia lokale.

Deri më tani thuhet se origjina e koronavirusit është një treg në Wuhan. Virusi mendohet se ka kaluar nga lakuriqi i natës te pangolini dhe më pas te njeriu.