Ish-Ministri i Shëndetësisë dhe kirurgu i njohur Prof. Dr. Arben Beqiri, i është drejtuar me një video-mesazh autoriteteve shqiptare, dhe qytetarëve shkodran.

Në këtë video-mesazh, kirurgu i njohur, merr shkas nga fakti se qyteti i Shkodrës tashmë, është duke shënuar raste të shumta me Covid-19, duke e renditur pas Tiranës, si qyteti me numrin më të madh të të infektuarve.

Kirurgu i njohur, i bën thirrje autoriteteve shqiptare, por edhe qytetarëve, që menaxhimi i situatës kërkon një qasje edhe më të kujdesshme por edhe më agresive.

Sakaq, Prof. Beqiri në video-mesazh, bën thirrje për qëndrimin në shtëpi, dhe distancimin social të qytetarëve, duke sjellë një shembull nga jeta personale, në fillim të kësaj pandemie, ku tregon bisedën telefonike me një mikun e tij në Shkodër.

“Në fillimin e kësaj pandemie i telefonova një miku të babait tim dhe timin gjithashtu me banim në Shkodër dhe ndër të tjera e porosita që të mos dilte jashtë shtëpisë dhe të mbante distancë edhe me ato rreth tij.

Ai mu përgjigj : Babai im (një ish-klerik i izoluar në kohën e diktaturës) ka ndenjur mbyllur në shtëpi për 30 vite pa kaluar pragun e derës, sigurisht unë mund të duroj edhe 30 ditë”, thotë Prof. Beqiri.

Teksti i zbardhur i Video-mesazhit:

Të dashur vëllezër e motra shkodrane,

Me shqetësim po përcjell lajmet e ditëve, në fakt të orëve të fundit për përhapjen e Covid-19 në qytetin tonë.

Për shkak se Shqipëria është në një mbyllje totale prej më se një muaji dhe nuk importon më raste nga jashtë, si rrjedhojë çdo vatër e re që krijohet është rezultat dhe pasojë e drejtpërdrejtë e rasteve,që kanë qenë në kontakt me një të infektuar, por që nuk janë testuar, nuk janë izoluar, duke infektuar kështu të tjerë dhe për pasojë duke krijuar vatra të tjera të nxehta të përhapjes së Sars-Cov2.

Shkodra duket se është tashmë një vatër e nxehtë e Covid 19.

Të dhënat për këtë virus tinzar tregojnë, që një përqindje e lartë e personave të infektuar janë pa simptoma dhe mund t’ua transmetojnë lehtësisht të tjerëve këtë sëmundje, për disa prej të cilëve mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Në profesionin tim si mjek prej rreth 30 vitesh, gjithmonë nëse diçka nuk ka shkuar mirë në trajtimin e të sëmurit, problemin, veprimin ose mosveprimin, apo edhe arsyet e dështimeve të rralla i kam kërkuar tek vetja, ndoshta tek sëmundja, asnjëherë tek i sëmuri.

E pra sot kam një thirrje të dyfishtë:

Të parën për autoritetet shqiptare përgjegjëse për menaxhimin e situatës , që të intensifikojë testimin në masë të popullatës e para së gjithash të personelit mjekësor pa përjashtim dhe në mënyrë të përsëritur.

Testimi dhe investigimi epidemiologjik shumë më agresiv i shoqëruar me izolimin e të infektuarve dhe trajtimin e të sëmurëve është e vetmja rrugë për kufizimin e përhapjes dhe më pas rikthimit gradual në normalitet. Në këtë moment është tejet jetike transparenca maksimale mbi shifrat e të infektuarve, të të hospitalizuarve si edhe atyre që fatkeqësisht humbasin luftën me këtë virus.

Thirrjen e dytë e kam për ju bashkëqytetarë:

Kërkon kurajo të mos takosh prindërit, t’ua lësh ushqimet te dera, të respektosh të gjitha porositë për distancimin social.

Qytetarët e Shkodrës mund të kenë shumë mungesa, të cilat vetëm sa janë shtuar dhe përkeqësuar këto ditë.

Por shpirtin e kurajos, sakrificës, burrninë e kanë patur gjithmonë me bollëk!

Ata janë ngujuar shpesh në historinë e tyre të lavdishme në kështjellën e tyre nga Turqit, në qytetin e tyre nga sllavët, në liritë e tyre për gati gjysme shekulli nga komunizmi, por asnjëherë nuk janë mposhtur.

Me më pak bukë, por me më shumë art dhe kulturë, ato janë bërë shembull për të gjithë Shqipërinë.

Në fillimin e kësaj pandemie i telefonova një miku të babait tim dhe timin gjithashtu me banim në Shkodër dhe ndër të tjera e porosita që të mos dilte jashtë shtëpisë dhe të mbante distancë edhe me ato rreth tij.

Ai mu përgjigj : Babai im (një ish-klerik i izoluar në kohën e diktaturës) ka ndenjur mbyllur në shtëpi për 30 vite pa kaluar pragun e derës, sigurisht unë mund të duroj edhe 30 ditë.

Do të doja t’ua transmetoja edhe ju të gjithëve këtë mesazh.

Qëndroni në shtëpi, respektoni distancimin social.

Shpejt kohë të mira do vijnë për secilin nga ne, dhe për të gjithë qytetin e vendin në tërësi!./abcnews.al