Shkodra është konfirmuar tashmë si vatra e dytë më e nxehtë pas Tiranës, për rastet e konfirmuara me koronavirus. Epidemiologia e ISHP, Rovena Daja tha se bëhet fjalë për kontakte të personave të infektuar më herët.

Shtimi çdo ditë i rasteve të të prekurve ka vënë në lëvizje edhe pushtetin lokal. Bashkia ka nxjerrë një urdhër, duke vendosur masa shtesë në tregjet e qytetit ku është vënë re fluks dhe grumbullim i qytetarëve. Prej ditës së martë, në tregun e njohur si “Merkata e Rusit” do të lejohen të punojnë një ditë tregtarët e shënuar me numër çift dhe ditën tjetër ata me numër tek.

Tregtarëve u është kërkuar që të mos ekspozojnë mallrat, produktet ushqimore dhe industriale jashtë dyqaneve në hapësirën publike. Ndërsa tregu i Zdrales do të qëndrojë i mbyllur për 2 javë. Të gjithë subjekteve tregtare të Shkodrës u kërkohet respektimi i masave higjieno-sanitare në ambientet e tyre, marrje e masave shtesë për punonjësit, krijim i sinjalistikës për mbajtjen e radhës për blerësit ndërsa ndalohet ekspozimi i mallit në rrugë.

Të gjitha baret dhe restorantet duhet të largojnë karriget dhe tavoliant nga rrugët edhe pse qëndrojnë të mbyllura. Ndërsa për qytetarët apelohet marrja e masave shtesë për përdorimin e maskave dhe respektimin e distancimit social.