Ish deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka hedhur dyshime mbi vërtetësisnë e grafikut të përhapjes së COVID19 në Shqipëri. Në një reagim në Facebook, Duma shprehet se shifrat publikohen nga Rama dhe janë të falsifikuara dhe të manipuluara.

Sipas anëtares së Kryesisë së PD, duhet të marrë fund loja me jetën dhe të bëhet transparencë nga qeveria dhe të tuhet pa frikë e vërteta.

“Grafiku dhe shifrat e publikuara nga Rama janë fallsifikim, manipulim i shifrave të deklaruara nga vetë Ministria e tij. Kjo nuk është aspak papërgjegjshmëri as ngatërresë shifrash, është strategji malinje që tani nuk habit më askënd.

Qëkur shteti drejtohet nga facebook-u dhe shifrat e pandemisë publikohen si të ishin sondazhe opinioni, fshehja dhe manipulimi i realitetit do jetë pasoja më e vogël. Që të marrë fund loja me jetën e njerëzve duhet ne forcë të bëjmë transparencë! Duhet me forcë dhe domosdoshmëri ti vendosim në rolin e vet dinjitoz ekspertët dhe specialistët që ta drejtojnë situatën pa presionin e frikën se po thonë të vërtetën”, shkruan Duma.

Më herët dyshime për vërtetëinë e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri ka hedhur dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-Kryeministri Sali Berisha. Ata shprehen se shifrat janë të manipuluara nga qeveria.