Kujtim nga Oli Pero

Ishte marsi i vitit 1997. Nuk i kisha mbushë ende 9 vjet e nuk kisha asnjë interes në politikën e asaj kohe. Dija vetëm që kisha një farë antipatie për aksh personazhe që uzurponin ekranet e televizorit tonë bardhë e zi. Një mëngjes të atij muaji, u hapën depot e armëve dhe jeta e të gjithëve ndryshoi.

U zgjova dhe pyeta tim atë nëse do të nxitonte të blinte një thes miell, meqë do të na duhej të ndryheshim në shtëpi. Me zërin e tij të qetë, m’u përgjigj që ne do të dilnim ta blinim bukën njësoj si për ditë. Nuk kishte askush punë me ne.

Shkova në shkollë edhe për disa ditë. Të gjitha klasat e katërta ishin mbledhur ne nji të vetme, nga mungesa e nxënësve. Në fytyrat e mësuesve që na vinin në rresht në mëngjes, vërehej një farë nervozizmi. Qe një javë e brishtë dhe shpejt u urdhërua mbyllja e shkollave dhe disa institucioneve shtetërore. Baba, si arkivist i muzeut, u mundua të fshihte dhe të siguronte ruajtjen e objekteve që kishte në dorëzim. Druhej se do i vidhnin.

Ne lagjen tonë me pallate parafabrikate, banonte një pjesë e mirë e personazheve që i dhane formë 97 në Shkodër. Krismat nuk pushonin sepse kur nuk përdoreshin për të vrarë apo plagosur, shërbenin si formë komunikimi. Kushedi ç’donte të thoshte i biri i Kujtimit me tri gjuajtje në ajër, çdo natë!

Jeta e secilit prej nesh u ndikua nga ngjarjet që pasuan. U bëmë dëshmitarë të egërsisë së pashoqe mes shqiptarëve. Dy fëmijë me të cilët luanim çdo ditë, humbën babain, një vajzë e re që do të martohej së shpejti, vdiq e goditur nga plumbi ‘qorr’, një doktor u ekzekutua në krye të detyrës. Nga ballkoni i shoqes sime të ngushtë, ishin nderur teshat me vrima të babait të saj që punonte ne polici. I kish shpëtuar për mrekulli vdekjes.

Me gjithë mbjelljen e kësaj frike, ne si fëmijë të një lagjeje të varfër e famëkeqe, dilnim thuajse çdo ditë të luanim. Kur dëgjonim krismat, suleshim sëbashku drejt hyrjes më të afërt dhe mblidheshim kruspull. Pas krismës së fundit, numëronim deri në tridhjetë dhe oburra, edhe një herë jashtë.

Një natë nga këto, megjithëse jobesimtare, e pata futur një libër që fliste për Jezusin nën jastëk dhe iu luta të mos shihja makthe.

Karantina duket sikur u zgjat edhe më shumë me luftën e Kosovës. Në shtëpinë ngjitur me tonën erdhi një familje e madhe nga Deçani. Banonin 13 vetë në një dhomë e kuzhinë. Lidha shpejt miqësi me Rukën me të cilën isha moshatare. Kur nuk ishte në shtëpine time, isha unë në të tyren. Po po, e katërmbëdhjeta rreth sofrës së shtruar në tokë, në dhomën që kundërmonte nga aroma e bukës së mbrujtur vetë dhe kutitë metalike të patateve e gulashit të konservuar.

Ajo më tregonte për jetën në fshatin e saj, vuajtjet e udhëtimit, pasigurinë e së ardhmes. Flisnim për Leonora Jakupin dhe kërcenim me këngët e Adelina Ismailit në dhomën e gjumit, në të cilën ishin stivuar dyshekë dhe batanije. E kujtoj si sot kur u rreshtuam të gjithë një mëngjes për t’i përcjellë dhe i ndihmuam të hipnin në kamionin që do i çonte në shtëpitë e tyre të plaçkitura nga ushtria serbe, por nën një diell të ri.

Janë 21 vite qe nuk di më asgje per Rukën. Jam përpjekur ta gjej edhe në rrjetet sociale, por pa sukses.

Ruaj vetëm kartolinën e saj me vargje fëminore të asaj kohe, dhe uroj me zemër të jetë mirë e ta gëzoje jetën në këtë kohe karantine, në Kosovën e lirë. Laralara Blog