Përmes ish deputetit Bardh Spahia, PD akuzoi sot kryeministrin Rama se gënjeu kur deklaroi se Shqipëria mund të kryejë 2 mijë testime në ditë. Sipas demokratëve, numri I ulët i testimeve fsheh realitetin e përhapjes së virusit.

Sot bëhet një muaj që kur në Shqipëri u zbulua rasti i parë me COVID 19. Ky muaj i vështirë ka provuar në mënyrë të përsëritur se qeveria ishte e papërgatitur për të përballuar krizën e krijuar nga koronavirusi.

Shqipëria kishte pak kite për të testuar sa më shumë të dyshuar, sepse qeveria veproi me shumë vonesë për ti siguruar, pavarësisht thirrjeve tona të hershme. Në përpjekje për të mbuluar dështimin në furnizimin e mjaftueshëm me kite për teste, Edi Rama e mbajti sekret sasinë e tyre dhe, kur u detyrua të fliste, ai gënjeu.

Deklarata e tij se ne jemi të gatshëm të bëjmë 2 mijë teste në ditë, u përgënjeshtrua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe nga vetë Komiteti i Ekspertëve të Edi Ramës. Të ndjekim për disa sekonda me zë dhe me figurë këtë mashtrim të rrezikshëm të Edi Ramës.