Sot në vendin tonë mbushet një muaj nga rasti i parë i konstatuar me koronavirus. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë situata është nën kontroll dhe sipas tyre kjo duket qartë nga shifra e raportuara deri më tani.

Në një muaj janë zbuluar 400 raste të infektuar me koronavirus, ndërsa numri i viktimave është 22 persona. Ata që kanë humbur jetën me COVID-19 janë kryesisht të moshuar, me sëmundje të tjera shoqëruese.

Por, cilat janë vatrat e rrezikut në vendin tonë? Lista kryesohet nga Tirana, e cila ka edhe numrin më të madh të të prekurve me 190 raste.

Pas kryeqytetit renditet Shkodra, e cila është cilësuar si “bomba me sahat”, pasi numri i të infektuarve është rritur frikshmë në ditët e fundit. Në kryeqendrën e veriut raportohen 45 raste. Durrësi mban vendin e tretë, por në qytetin bregdetar nuk ka pasur “shpërthim” si në Shkodër.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë numri i testeve të kryera në një muaj është 2989 dhe nga këto 400 kanë rezultuar pozitivë. Ditën e djeshme u raportua për vetëm 6 raste të reja me COVID19, duke sjellë shpresë te qytetarët dhe jo vetëm. Por të dhënat e sotme flasin sërish për shifra të larta, 17 të infektuar në 24 orë.

Veç kësaj raportohet se numri i të shtruarve në spital është ulur nga 67 persona në 58, ndërsa 154 pacientë janë shëruar.

Harta e të prekurve nga COVID19 në ditën e 30 u zgjerua në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast. Ndërsa Hasi shihet si epiqendra e re me shtim të të infektuarve.