Rriten rastet e të infektuarve në Shkodër. Ka shkuar në 48 numri i të infektuarve mëngjesin e sotëm.

Mbrëmjen e djeshme janë marrë 26 tampon të personave të dyshuar, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Tiranë.

Sipas rezultateve janë konfirmuar pozitiv me covid-19, 6 prej këtyre personave.

Siç raporton gazetari i ABC News Simon Shkreli, të infektuar rezultojnë, 2 familjarët e 80 vjeçares që ka humbur jetën 2 ditë më parë, infermieri i cili i shërbente prej muajsh asaj, 1 anëtar i familjes nga Dobraçi, dhe 2 anëtarë të familjes nga Kirasi.

Kjo e çon numrin e të infektuarve në qarkun Shkodër në 48, ndërsa në Bashkinë Shkodër në 44 raste.

“Ndërkohë po bëhet një gjurmim më i gjerë në bazë të informacioneve që kanë marrë autoritetet për të identifikuar rastet.

Të 26 mostrat që janë marrë kanë qenë nga Kiras dhe Dobraç dhe shpresohet që përmes institucioneve të bëhet izolimi i këtyre vatrave. Ndërkohë kemi rreth 40 familje në Vaun e Dejës që janë vetëizoluar që nga momenti kur u konfirmuan rastet e para”, raporton për ABC News” Simon Shkreli.

Në Shqipëri janë regjistruar gjithësej si pozitiv nga koronavirusi 361 raste. /abcnews.al