DEKLARATË E PËRBASHKËT E PËRFAQËSUESVE TË PARTISË DEMOKRATIKE, DEGA SHKODËR ROMEO GURAKUQI IZMIRA ULQINAKU, LORENC LUKA DHE BARDH SPAHIA

Të dashur bashkëqytetarë Për fat të keq Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Fieri, janë katër qarqet me numrin më të lartë të personave të prekur nga koronavirusi. Gjatë këtyre 3 javëve kemi përsëritur apelin e vazhdueshëm ndaj Qeverisë që të mos përjashtojë nga harta e testimeve Qarkun Shkodër, me qëllim që të identifikohen në kohë personat e prekur, të izolohen dhe diagnostifikohen në kohë

Ky apel për fat të keq u dëgjua shumë vonë dhe numri i personave të prekur është rritur gjatë ditëve të fundit.

Të shqetësuar thellësisht për këtë, duam fillimisht të shprehim ngushëllimet për familjen e të ndjerës që humbi jetën nga COVID 19 pa mundur të kurohej dhe të urojmë shërimin sa më parë të të gjithë bashkëqytetarëve që po marrin trajtim mjekësor për shkak të këtij virusi.

Duke u nisur nga situata, i bëjmë fuqimisht edhe një herë apel Qeverisë të rrisë urgjentisht numrin e testimeve, të bëjë transparencë maksimale dhe të informojë e bashkëpunojë me autoritetet vendore për evidentimin, testimin, gjurmimin epidemiologjik dhe izoilomin e trajtimin e të gjitha rasteve të infeksionit.

Të dashur bashkëqytetarë të Qarkut Shkodër Përsërisim thirrjen që të respektojmë bashkërisht, të gjitha kufizimet dhe rregullat e lëvizjes të shpallura nga institucionet shëndetësore në vend. Është e domosdoshme që të ndjekim këshillën e tyre për distancimin fizik dhe daljen nga shtëpia vetëm për arsye madhore.

Të dashur bashkëqytetarë Jemi thellësisht të shqetësuar nga qindra mesazhet që na vijnë cdo ditë, për vështirësitë tuaja ekonomike, për njoftimet që keni marrë për largimet nga puna në biznese private.

Jemi të trishtuar nga gjendja e të papunëve dhe famijeve në nevojë, që po ndihmohen vetëm nga biznesi privat, shoqëria civile dhe Bashkia Shkodër, për aq sa janë kapacitetet financiare dhe njerëzore.

E dimë që më shumë se të tjerët, punonjësit në bizneset private, të vetëpunësuarit apo bizneset e vogla, të papunët dhe familjet në nevojë, në qarkun Shkodër, jeni duke e përjetuar disafish më rëndë krizën e shkaktuar. Jemi të ndërgjegjshëm se shumë prej jush, sot ndjejnë më shumë ankth nga pasiguria për bukën e fëmijëve dhe ekonominë e familjes tuaj.

Mirëpo, kjo pasiguri do të marrë fund dhe ditë më të mira do të vijnë për cdo qytetar të Shkodrës dhe Qarkut Shkodër. Në këtë moment ajo që ka rëndësi për secilin prej nesh, demokrat, socialist apo pa parti, është jeta dhe shëndeti i cdo qytetari. Në këtë betejë jemi të gjithë bashkë dhe po bashkë do ta kalojmë.

Për këtë arsye, ripërsërisim apelin tonë që të bëjmë gjithcka kemi në dorë për të mbrojtur vetën, familjarët tanë dhe bashkëqytetarët tanë. Të zbatojmë rregullat e distancimit fizik, të ndjekim me përpikmëri këshillat e mjekëve dhe të raportojmë në kohë cdo shqetësim shëndetësor dhe cdo dyshim, pranë Shërbimit të Urgjencës.

Përsërisim thirrjen ndaj Qeverisë të shtojë urgjentisht numrin e testimeve dhe të angazhohet pa diskriminim në mbështetje të familjeve dhe bizneseve në nevojë. Retorika e sulmeve, ndasive dhe diskriminimi duhet të marrë fund menjëherë! Shkodra ka qenë, është dhe do të jetë përherë krenaria e Shqipërisë!