Nga e hëna do të vendosen rregulla të reja në tregje, veçanërisht tek ata janë evidentuar grumbullime masive qytetarësh dhe mos respektim i distancimit social. Siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama, në tregje do të vendosen kordon sanitarë, që konkretisht kanë të bëjnë me sinjalistikë me vetëm një kalim vendosur në formën e barrierave.

Kushdo që nga e hëna nuk do të respektojë radhën dhe distancën, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndëshkim deri në heqje lirie, pra në arrestim e dënim me burg, dhe jo më vetëm me gjobë.

Konsideruar “delja e zezë” e Tiranës, siç edhe kryebashkiaku Erion Veliaj e quajti, tregu i Kombinatit do të mbledhë prezencën më të lartë të policisë dhe të ushtrisë, për të garantuar respektimin e masave mbrojtëse dhe distancës mes qytetarëve.

Por situata mund të shkojë drejt një vendimi drastik nëse rregullat nuk respektohen dhe në tregje shihet sërish situatë kaotike. Veliaj paralajmëroi se tregu i Kombinatit do të mbyllet nëse qytetarët dynden pa respektuar distancën.