Mediat italiane sot janë hapur me lotin e Giuseppe Conte. Në një interviste për kanalin Nove, Conte pyetet në një çast nga gazetari Andrea Scanzi për momentin më të vështirë. Ai preket, (nuk aktron) duket që preket vërtet dhe thotë se kur pa që nisën vdekjet dhe kuptoi që situata do të bëhej edhe më keq, ishte momenti më i vështirë.

Ai tha: “Momenti më i vështirë ishte sistemimi i zonës së kuqe në Lodigiano. 10 bashki dhe 50 mijë banorë. Diçka që s`kishte ndodhur kurrë që nga paslufta e deri më sot. Pastaj pashë listat e viktimave, mu desh të përballesha me vdekjet e para, preka një plagë që do hapej gjithmonë e më shumë”

Pas gjithë pyetjeve që ia bërë këto ditë kryeministrit Conte për situatën, masat, planet dhe gjithçka tjetër, kjo ishte pyetja e parë më personale. Pyetja u bë nga Andrea Scanzi, një gazetar i përgatitur mirë që numëron një sërë librash politikë të botuar dhe disa vepra të vënë në skenën e teatrit. Ai është diplomuar për Letërsi Moderne dhe s`ka hequr asnjëherë dorë nga pasionet për politikën, programet televizive, artin dhe së fundmi ishte pjesë e jurisë së Sanremo.