Ditën e djeshme në Shqipëri janë testuar 152 persona, nga të cilët ka pasur 16 raste të reja me Covid 19, duke e çuar numrin total të rasteve pozitive në 259.

Mosha mesatare e personave të konfirmuar pozitiv është 50-vjeç, ndërsa mosha mesatare e viktimave është 66-vjeç, tha Silva Bino në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 persona të shtruar, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar.

Bino u shpreh optimiste për ecurinë e deritanishme, ku nuk ka pasur një numër të madh rastesh, apo një kurbë të frikshme të rritjes, por theksoi se duhet të ndiqen me vëmendje të gjitha masat e distancimit social, pasi në të kundërt situata për mjekët mund të bëhet e pamenaxhueshme.