Ndërsa mediat e botës prej 3 ditësh shkruajnë e flasin pa pushim për 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë që shkuan në Itali duke u treguar të gjithëve se çfarë do të thotë solidaritet dhe mirënjohje, disa media shqiptare duket se e kanë të vështirë të nderojnë siç duhet këta heronj, duke zgjedhur ti përlyejnë.

Të punosh nuk është turp, por të shpikën apo prishësh figurën e një punëtori që ushqehet me djersë është një veprim shumë larg dinjitozit. Një gjë e tillë fatkeqësisht ka ndodhur me një prej infermierëve të dërguar në Itali.

Avokati Durda: Qetësohuni njerëz! Qazimi është infermier, u detyrua të punojë pompist

Avokati Geraldo Durda, i cili përfaqëson familjet e prekura nga Gërdeci, ka qenë pjesë e reagimeve duke kundërshtuar fort shkrimet e disa mediave për të ulur poshtë figurën e infermierit Qazim Ismaili. Avokati konfirmon se Qazimi ka punuar si infermier për shumë vite në Shqipëri dhe Itali, ku është detyruar të kthehet nga vendi fqinj për shkak të tragjedisë së Gërdecit. Për shkak së nuk mund të hynte në sistemin e shëndetësisë, ai punoi në një karburant në Vorë.

“Qetësohuni njerëz! Qazim Ismaili është babai i tre fëmijëve të quajtur Jonida, Artiola vuan nga zemra edhe Roeli djali i vogël. Qazimi ka punuar për 4 vite në Spitalin Ushtarak e më pas për 9 vjet ke spitali Nr 2 dhe për 5 vite infermier në Itali. Qazimi është kthyer nga Italia në vitin 2008 kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, për shkak se vajza e vogël e cila vuan nga zemra u dëmtua. Edhe prej nga ajo kohe ka tentuar të rikthehet në sistemin e shëndetësisë, por nuk ka arritur dot dhe ndërkohë ka punuar si shitës karburanti në Vorë” shkruan Durda.