Mjekët e vjetër në pension i janë përgjigjur në masë, nevojës së qytetarëve për shërbim në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Prof. Dhimitër Kraja, ish-Shef i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive, është një tyre.

Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se Prof. Kraja ka një jetë që shërben në spitalin Infektiv. Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë dhe pas 48 vitesh punë, është përgjigjur i pari thirrjes për tu kthyer në shërbim, për të ndihmuar stafin e palodhur të Infektivit në këto ditë të vështira”

Një biografi e shkurtër

Prof. Dhimitër Kraja ishte në vitin 2015, shef i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, pedagog i lëndës së Sëmundjeve Infektive në Fakultetin e Mjekësisë dhe koordinator i Shërbimit të Infektologjisë, Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Profesionale të Fakultetit të Mjekësisë, UM Tiranë.

Në interesat profesionale vlerëson perfeksionimin dhe zhvillimin progresiv të infektologjisë Shqiptare. Ai është autor dhe bashkautor i 12 teksteve mjekësore, mbi 200 artikujve/posterave në tubime dhe përmbledhje abstraktesh në aktivitete shkencore botuar në revista ndërkombëtare si dhe mbi 200 punimeve në aktivitetet kombëtare.

Funksione të tjera ndër vite janë ai i Kryetarit të Urdhërit të Mjekëve të Tiranës, shefi i Klinikës II Infektive të Spitalit Infektiv, Tiranë, Shefi i Departamentit Infektologji – Dermatologji – Sëmundje Profesionale në Fakultetin e Mjekësisë. Prof. Kraja është anëtar i Shoqatës Shqiptare të Infektologjisë dhe disa shoqatave Ndërkombëtare të Infektologjisë dhe Hepatologjisë.

Prof. Dhimitër Kraja ka nisur punën si mjek klinicist në Spitalin Infektiv në vitin 1972. Ai është specializuar në Gastrohepatologji (1972- 1973) dhe në Epidemiologji dhe Sëmundje Infektive (1972-1974); Sëmundjet infektive, Tropikale, Mykotike, Parazitare dhe AIDS në Qendrën Spitalore Pitie- Salpetriere, (Paris 1988), Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme dhe Kolposkopi në Poliklinikën Universitare Umberto I (Romë 1995), Infektologji dhe AIDS në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive L. Spallanzani, Romë.

Në një intervistë në vitin 2015, Prof. Kraja ka thënë: “E vlerësoj të qenit shef i shërbimit infektiv si një përgjegjësi të madhe pasi problematika infektologjike është e gjerë, polispecialistike dhe shpesh nuk ka kohë të presësh. Në të përfshihen edhe patologji të reja, të panjohura (infeksioni HIV/AIDS, infeksioni nga West Nile virus; gripi pandemik; sëmundjet e importuara nga zonat tropikale apo ato nga shkaktare multirezistente e të tjera). Me ndarjen e parakohshme nga jeta të dy personaliteteve të infektologjisë si Prof. K. Pano dhe K.Tavanxhi na u desh një punë e madhe dhe kolegjiale për të përballuar sfidat e shumta (akademike dhe klinike) me të cilat haset vazhdimisht specialiteti ynë. Ndoqëm taktikën e bashkëpunimit klinik dhe didaktik të stafit akademik dhe atij spitalor ordinator duke nxitur ndër të tjera edhe ngritjen e nivelit teorik/shkencor të kolegeve ordinatorë dhe lehtësimin e ngarkesës së pedagogëve.”
© SYRI.net