Mbretëresha e Anglisë vazhdon të mbetet me shëndet të mirë, edhe pse është takuar me kryeministrin Boris Johnson, i cili konfirmoi sot se është infektuar me koronavirus.

Lajmin e ka bërë të ditur Pallati Buckingham të premten pasi u mor vesh se Johnson ka rezultuar pozitiv për Covid-19, shkruan abcnews.al

Në një deklaratë, Pallati njofton:

“Mbretëresha u takua për herë të fundit me KM më 11 mars dhe po ndjek këshillat e posaçme në të mirë të shëndetit të saj.”

Princi Charles rezultoi pozitiv më herët gjatë kësaj jave dhe tashmë ndodhet në vetë-izolim bashkë me bashkëshorten Camilla në Skoci. Kryeministri anglez Boris Johnson njoftoi të premten me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter se kishte rezultuar pozitiv për koronavirusin.

Në postim, ai shkruante:

“Gjatë 24 orëve të fundit kam zhvilluar simptoma të lehta dhe dola pozitiv për koronavirusin. Tashmë jam i vetë-izoluar, por do të vazhdoj ta udhëheq qeverinë me anë të video-konferencave ndërsa luftojmë virusin. Bashkë do ia dalim.” /abcnews.al