Drejtuesja e “Open”, Eni Vasili ka shpjeguar incidentin që ndodhi dje në emision, ku një sms i dërguar nga telefoni i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hapi një valë reagimesh, për vërtetësinë e bisedës. E pranishme në studion e lajmeve në Top Channel, Vasili tha se situata e krijuar nuk i lejonte dot verifikimin në kohë reale, se a ishte dërguar mesazhi nga Basha. Ajo tha më tej, se ajo që e shqetëson më shumë në këtë situatë është cënimi i privatësisë, nëse mundësia e ndërhyrjes nga një haker është e vërtetë. Vasili mori si shembull, nëse kjo do të kishte ndodhur me kryeministrin Edi Rama, që të dërgonte një mesazh të tipit “Edi jam, mos lani duart” “imagjinoni panikun që do të hapej“ tha ajo.

Rrëfimi i Eni Vasilit:

Siç e shpjegova, në telefonin tim ka ardhur një SMS nga Basha kur unë po intervistoja kryeministrin Edi Rama. SMS-ja vinte në vazhdën e bisedës për intervistën e javës së shkuar. Në transmetim live nuk mendon se mund të ndodhë një hakerim, kur ke kryeministrin live, s’komunikon dot me kryetarin e PD, a je ti se kjo pyetje më duket e çuditshme? A je ti vërtet? Ndodhi që unë lexova një SMS, siç rëndom ndodh që kam lexuar sms nga të tjerë, nga personazhe apo qytetarë. Për mua, deri këtu ska asgjë të veçantë. Fakti që Basha e përgënjeshtroi flet diçka. Thonë që edhe mundet të hakerohet, unë s’jam eksperte. Jam dakord me PD-në, le të hetohet. S’mund të përdoret telefoni i një gazetareje të njohur dhe kryetarit të PD, se imagjinoni nëse ndodh me kryeministrin, jemi ne këtu, të vijë një sms “Edi Jam, mos lani më duart”. Është një çështje që mund të ketë të bëjë edhe me sigurinë kombëtare, nëse mundet të gjendet autori i kësaj shakaje të pakripë. Ti shkohet deri në fund, unë personalisht ndihem e prekur përderisa është prekur privatësia ime. Imagjinoni secili nga ju të marrë mesazhe nga persona që nuk i kanë dërguar.

Një mesazh i dërguar nga telefoni i kryedemokratit ka trazuar ujërat e politikës shqiptare. Mesazhi, që sipas Vasilit, ka shkuar nga numri i telefonit të Lulzim Basha, kishte si përmbajtje “Eni, pyete kryeministrin, a është i gatshëm të japë dorëheqjen dhe të ma kalojë mua drejtimin e qeverisë?”. Gazetarja nxorri edhe screenshotin (fotografi e ekranit), që sipas saj, provonte se pyetja kishte ardhur nga adresa e Bashës. Ndërsa Basha dhe PD dhe PD kanë 24 orë që e mohojnë me forcë këtë SMS, duke publikuar një screenshot tjetër.

Incidenti ndodhi teksa Vasili kishte në lidhje Skype kryeministrin Edi Rama. Më pas gazetarja lexoi një tjetër mesazh nga kryedemokrati Basha, i cili shkruante se nuk ishte ai personi që e kishte dërguar SMS-në e parë. Mister mbetet mënyra se si ai mesazh mbërriti në duart e Vasilit.