Presidenti Ilir Meta në një intervistë ekskluzive për drejtorin e Informacionit dhe gazetarin Robert Rakipllari të News24 ka treguar arsyen pse bëri testin e koronavirusit.

Ai tha se ishte në një palestër dhe u informua se një qytetar aty kishte rezultuar pozitiv. Meta sqaron se ai e njihte qytetarin në fjalë por nuk ja kishte dhënë dorën. Pas testit Ilir Meta rezultoi negativ.

“Unë bëra testin pasi mora informacion se kisha qenë në një palestër ku kishte rezultuar një qytetar që unë e njihja por nuk ja kisha dorën. U informova se kishte rezultuar pozitiv” tha Meta.

Bilanci i COVID19 në Shqipëri ka shkuar në 55 të prekur, mes tyre një viktimë. 9 prej të infektuarëve janë mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi”

Vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, është ndaluar lëvizja me makinë apo me këmbë, si dhe shumë vende punë janë mbyllur. Në shërbim të shtetit do të jenë edhe spitalet private gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë.

E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.