Koronavirusi ka vrarë me mijëra njerëz në mbarë botën dhe ka infektuar mbi 130 mijë persona duke krijuar një gjendje të vështirë për botën mbarë.

Tashmë pas Kinës e cila po shkon drejt një gjendje të përmirësuar me vetëm 4 raste të reja në 24 orët e fundit, është Italia vendi më i goditur në botë nga ky virus vdekjeprurës.

Një gazetar shqiptar, Taulant Kopliku në emisionin “Le Iene” në Itali ka folur për gjendjen e rënduar në të cilën gjendet Italia nga koronavirusi.

Ai ka rrëfyer për dramën që po kalon Italia, nisur nga dhjetëra rrëfime të mjekëve dhe infermierëve italian që tregonin se situata është teje e rënduar dhe se të moshuarit po vdesin të izoluar në dhomat e spitalit pa patur mundësi të japin përqafimin e fundit.

“Rrëfimet e orës së fundit të mjekëve dhe infermierëve të spitaleve italiane janë shokuese dhe të mbushura me dhimbje. Ata tregojnë për të moshuar që vdesin të izoluar në dhomat e spitalit, pa patur pranë asnjë të afërm për t’i dhënë përqafimin e fundit e duke kërkuar dëshpërimisht të shohin djemtë, vajzat dhe nipërit e tyre. Ata po vdesin në vetmi dhe po varrosen po ashtu në vetmi. Sot u kapërcye numri 1000 viktima. Çdo fjalë më shumë është e tepërt” shkruan Kopliku.