Një lutje prag mbrëmje …

Lutem që koronavirusi të mos marrë më asnjë jetë,
Por dua që hyrja e tij në jetët tona të na nxisë të ndryshojmë jetë;

Lutem që ky virus të mbarojë sa më shpejt,
Por dua që të mos mbarojë dëshira jonë për ti dhënë një kuptim jetës;

Lutem që spitalet tona të zbrazen sa më shpejt nga të sëmurët me koronavi,
Por dua që spitalet tona pas kësaj të jenë vendi i kujdesit për njeriun;

Lutem që mjekët dhe infermierët tanë të marrin frymë lirshëm nga lodhja që kanë,
Por dua që e gjitha kjo ti shtyjë ata drejt humanizmit dhe kujdesit për njeriun;

Lutem që kufijtë tanë të hapen sa më shpejt e të lëvizim të lirë,
Por dua që këto kufij të mos jenë më mure që na ndajnë nga njëri-tjetri;

Lutem që të gjendet sa më shpejt ilaçi kundër koronavirusit,
Por dua që industritë farmaceutike të jenë në shërbim të shoqërisë.

Lutem që sa më shumë ta ndihmojmë njëri tjerin,
Por dua që kjo të vazhdojë edhe kur koronavirusi të mos jetë më.

Dua dhe lutem. Lutem dhe dua. Lutem sikur gjithçka të varej prej Hyjit e dua sikur gjithçka të varej prej meje.

Ndaj të lutem o Zot!
Na ndihmo të bëjmë çka është e duhur e të mos harrojmë çka është me vlerë për vete e për të tjerët. Na jep dashuri për jetën tonë dhe të tjerëve!

Një natë të qetë me Zotin e dashurisë në zemër!

Dom Gjergji